Italia paralajmëron masa ligjore ndaj Pfizerit për vaksinat anti-Covid

Prishtinë | 20 Jan 2021 | 19:43 | Nga Ekonomia Online

Italia është duke e shqyrtuar inicimin e një veprimi ligjor kundër “Pfizerit”, pasi që kompania amerikane e ilaçeve ka njoftuar shkurtime në dërgesat e vaksinave kundër koronavirusit. “Pfizer” ka njoftuar Italinë javën e shkuar se do t’i shkurtojë dërgesat deri në 20 për qind.

Si rezultat i kësaj, Qeveria në Romë ka diskutuar rreth veprimit që do të ndërmarrë për mbrojtjen e qytetarëve dhe shëndetit të tyre. Komisionari i posaçëm i vendit për ballafaqimin me COVID-19, Domenico Arcuri, ka thënë se është vendosur që veprimet të ndërmerren qysh nga ditët në vijim.

Një zëdhënës i “Pfizerit” ka refuzuar të komentojë rreth kërcënimit italian me masa ligjore. Kompania kishte bërë të ditur javën e shkuar se do t’i ngadalësojë përkohësisht dërgesat e vaksinave në Evropë, në mënyrë që prodhuesit të kenë mundësi që ta rrisin prodhimin.

Vaksina e “Pfizerit” është e para e miratuar për përdorim në luftën kundër sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi i ri, që deri më tani ka lënë të vdekur më shumë se 2 milionë persona në mbarë botën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme