Këshilltarja e OKB-së paralajmëron për katastrofë në Idlib të Sirisë

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 11:48 | Nga Ekonomia Online

Një këshilltare e Lartë e Kombeve të Bashkuara, të enjten në mbrëmje ka paralajmëruar për një katastrofë humanitare në Idlib të Sirisë, ku forcat besnike të regjimit të Bashar al-Asadit kanë intensifikuar sulmet ajrore, raporton Anadolu Agency (AA).

Najat Rochdi, këshilltare humanitare e të dërguarit të posaçëm të OKB-së për Sirinë, tha në një deklaratë se rreth 3 milionë njerëz në Idlib kanë nevojë për mbrojtje.

“Katastrofa humanitare është një kërcënim serioz nëse dhuna nuk ndalet. Sulmet dhe luftimet prekin civilët në zonat e kontrolluara nga qeveria”, tha Rochdi, duke shtuar:

“Në javët e fundit po mbretëron një brutalitet gjithnjë e më i keq. Kjo ka shkaktuar pasoja të rënda për civilët dhe zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve”.

Shtatorin e kaluar Turqia dhe Rusia ranë dakord për të shndërruar Idlibin në një zonë të de-eskalimit, e cila si e tillë ndalon në mënyrë të qartë agresionin. Megjithatë, regjimi i Asadit vazhdimisht ka shkelur kushtet e armëpushimit, duke shkaktuar sulme të shpeshta brenda zonës.

“Të jem e qartë. Mbrojtja e civilëve është më e rëndësishmja. Kemi përgjegjësi kolektive ndaj viktimave të këtij konflikti, shumë prej të cilëve janë shumë të vegjël për të qenë në gjendje të sajojnë një luftë të tillë të pakuptimtë”, tha Rochdi.

Siria sapo ka filluar të dalë nga një konflikt shkatërrues që filloi në vitin 2011 kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.

Të ngjashme