Kongresi miraton ndihmën masive për trajtimin e pasojave të pandemisë

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 20:49 | Nga Ekonomia Online

Paketa në vlerë prej 1.9 trilion dollarësh, e propozuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, për t’iu ndihmuar qytetarëve në përballimin e pasojave të pandemisë, kaloi pengesën finale në Kongres.

Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, e miratoi planin masiv të ndihmës me 220 vota për dhe 211 kundër. Asnjë republikan nuk votoi në favor të tij.

Pasi ka kaluar tashmë edhe Senatin, paketa e ndihmës shkon në tryezën e presidentit Biden për t’u nënshkruar në ligj.

Biden e ka reklamuar atë si mënyrën më të mirë për rikthimin e fuqisë së ekonomisë amerikane.

Biden ka thënë më herët se paketa ka mbështetje të gjerë publike dhe se “tani është koha për ta shpenzuar”.

Paketa e ndihmës përfshin 415 miliardë dollarë për të forcuar përgjigjen ndaj virusit dhe shpërndarjen e vaksinave, rreth 1 trilion dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë për familjet dhe afërsisht 440 miliardë dollarë për bizneset e vogla dhe komunitetet që janë goditur veçanërisht nga pandemia.

Shumë republikanë kanë kundërshtuar përdorimin e parave të huazuara për të paguar stimulin.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 29 milionë njerëz në SHBA dhe ka vrarë mbi 528,000.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme