Kultivonin kanabis në tunel, policia godet grupin kriminal

Prishtinë | 20 Qer 2019 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Parandalohet në Tiranë dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të kanabisit, në ambiente të mbyllura me llamba, si dhe i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Burimet zyrtare të policisë raportojnë se në kuadër të operacionit të koduar “Prevention’, ka bërë të mundur arrestimin e një personi dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerëve. Në pranga ka rënë i riu Xh. L., 25 vjeç, banues në Tiranë dhe në kërkim janë shpallur personat D. A; V. A. dhe F. S, të tre banues në Tiranë.

Hetuesit kishin siguruar informacione se shtetasi F. S., në bashkëpunim me shtetasit D. A., V. A. dhe Xh. L. po përgatiteshin të kultivonin bimë narkotike në ambiente të mbyllura. Gjithashtu këta shtetas posedonin lëndë narkotike të llojit Kokainë dhe kanabis sativa, në një garazh në Rrugën “Kongresi Manastirit”, për ta shpërndarë në doza të vogla.

Policia ka ushtruar kontroll në dy garazhet e shtetasit F. S., të cilat kishin dalje në tunele (vendstrehime) të ndërtuara gjatë viteve të diktaturës, ku gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi 242.6 gr lëndë narkotike të dyshuar kokainë, në doza të vogla, 1 kg e 125 gr lëndë narkotike Cannabis në formë çokollate, fishekë luftarakë, 1 peshore elektronike, 3 motoçikleta, 1 DVR, rreth 600 shishe vere të llojeve të ndryshme, si dhe pajisje të shumta, vegla pune elektrike të llojeve të ndryshme.

Po gjatë kontrollit në një tunel betoni në të cilin futeshe nëpërmjet një hyrjeje të fshehtë në dyshemenë e garazhit, u gjetën edhe pajisje të tjera, të cilat përdoren për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura si : llamba elektrike, ventilatorë aspirues, transistorë elektrikë, tuba alumini për aspirim, fuçi për mbajtjen e lëndës narkotike, me aromën karakteristike të kanabisit, set automatesh dhe prizash elektrike.

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe për evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Kontrabanda me mallra që kanë akcizë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Të ngjashme