Le Pen: Serbia s’ka interes të integrohet në BE

Prishtinë | 13 Qer 2021 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Politikanja franceze Marine Le Pen, kryetarja e partisë së krahut të djathtë nacionalist dhe një nga kundërshtarët kryesorë të preisdentit Emmanuel Macron në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, ka thënë se Serbia nuk ka interes të integrohet në Bashkimin Evropian.

Ajo vuri në dukje se ideologjia islamike dhe ekstremizmi imponojnë regjimin totalitar teokratik përmes presionit, kërcënimeve dhe shantazheve, në të cilat individët dhe popujt do t’i nënshtroheshin rregullave të rendit të ri fetar.

Le Pen kujtoi se partia e saj po lufton kundër sistemit politik të BE-së, i cili sipas saj është “i orientuar politikisht drejt SHBA-së” dhe vlerësoi se “duke pasur parasysh ekseset totalitare në funksionimin e unionit, Serbia nuk ka interes të integrohet”.

“Ky sistem i BE-së injoron sovranitetin kombëtar dhe zbaton një politikë shantazhi dhe kërcënimesh. Kundër Hungarisë dhe Polonisë, për shembull, dhe vetëm sepse këto dy vende me të drejtë kanë refuzuar t’u imponojnë kuota migrantësh. Parimi i zgjerimit është në të vërtetë një proces i transferimit të sovranitetit dhe hollim i identitetit kombëtar”, tha Le Pen.

Marin Le Pen i vlerësoi sanksionet e BE-së të vendosura kundër Rusisë si “arbitraritet, kundër-drejtim historik dhe gabim gjeopolitik”.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë janë thelbësore për zbutjen e krizave ndërkombëtare dhe luftimin e fondamentalizmit islamik, dhe Rusia është gjithashtu një partner i rëndësishëm tregtar. Dëshira për ta përjashtuar Rusinë nga dialogu midis kombeve do të thellojë krizat ndërkombëtare dhe ngërçet gjeopolitike dhe ekonomike”, tha ajo.

Të ngjashme