LVV në Shqipëri akuzon për shkelje të votave në Gjirokastër

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 19:43 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, ka publikuar një video të cilën e ka paraqitur si “provë filmike” sajë pretendimeve për shkelje të kodit ligjor gjatë numërimit të votave.

Kjo video është shkëputur nga incizimi i procesit të numërimit me datë 26 prill, në KZAZ 80 në Gjirokastër. Filmimet janë marrë nga pamjet zyrtare filmike të KQZ-së.

LVV shkruan krahas publikimit të videos se numëruesi vendos shenja mbi fjetën e votimit, ndërsa numëruesit e tjerë nuk reagojnë.

“Në këto pamje dallohet qartë konsumimi i veprës penale nga një numërues që vendos shenja në fletët e votimit gjatë procesit të numërimit, me miratimin e dhënë në heshtje nga numëruesit e tjerë, që duket se janë në bashkëpunim me të”, shkruan LVV në Shqipëri.

Gjithashtu, numëruesi në fjalë menjëherë pas numërimit ka kontaktuar në celular, sipas LLV-së, kandidatin e PS-së në qarkun Gjirokastër, ministrin e Brendshëm Blendi Çuçi.

“Pas konsumimit të veprës penale, numëruesi kontakton me një numër telefoni ku është i shënuar emri i Ministrit të Brendshëm, Blendi Çuçi, që ishte edhe kandidat i Partisë Socialiste në Qarkun Gjirokastër”, shkroi LVV.

Më herët Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur akuza për shkelje ligjore të bëra nga komisionet e qendrave të numërimit gjatë procesit të numërimit të votave. Këto shkelje përfshijnë moslejimin e vëzhguesve të pavarur për të hyrë në qendrat e numërimit, presion për të mos dokumentuar krimet elektorale gjatë procesit të numërimit, injorimin e kërkesave të tre kandidatëve nga komisionet të numërimit të votave, etj.

Të ngjashme