Maqedonia e V. lehtëson masat kufizuese

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Në Maqedoninë e Veriut është përmirësuar situata epidemiologjike me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 450 të infektuar nga 2,872 teste të bëra, ndërkohë që 1,001 persona janë shëruar, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Tash e një javë në këtë vend është vërejtur rënie e konsiderueshme e numrit të të infektuarve kundrejt numrit në rritje të personave të shëruar.

Rënie është vërejtur edhe sa i përket numrit të viktimave me koronavirus.

Të martën janë regjistruar 28 viktima kundrejt shifrave të larta të para një jave që arrinin deri në 50 në baza ditore.

“Masat kufizuese po japin rezultate. Presioni në spitale po ulet pasi kemi numër gjithnjë e më të vogël të personave të hospitalizuar. E gjithë kjo na jep të drejtën të themi se kjo valë po shënon rënie. Sidoqoftë, ne po monitorojmë nga afër situatën. Ne kemi zgjedhur masa të moderuara dhe të ekuilibruara që kanë kontribuar më së shumti në uljen e presionit në qendrat spitalore” deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut, me COVID-19 janë diagnostikuar mbi 151 mijë persona.

Prej tyre, rreth 130 mijë janë shëruar, 4,742 e kanë humbur jetën dhe aktive janë 15.470 raste.

Sa i përket imunizimit, deri të martën janë vaksinuar 53 mijë persona ndërsa mbi 203 mijë të tjera janë regjistruar për vaksinim.

Ulja e numrit të viktimave dhe e numrit të të infektuarve ka bërë që Qeveria maqedonase, të martën të miratojë vendimin për lehtësimin e masave kufizuese.

Nga dita e mërkurë, do të nisin punën bizneset e gastronomisë në hapësirat e tyre të jashtme ndërsa ora policore është shkurtuar për një orë dhe tani nis nga 21:00 deri në 05:00.

Të ngjashme