Merkeli paralajmëron vazhdim të masave anti-Covid deri në prill

Prishtinë | 12 Jan 2021 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Kancelarja Angela Merkel u ka thënë deputetëve të partisë së saj konservative, CDU, se pret që mbyllja për frenimin e përhapjes së koronavirusit në Gjermani të zgjatet deri në fillim të prillit, ka cituar gazeta e madhe “Bild” burime që morën pjesë në takimin e lideres gjermane me bashkëpartiakët.

Ajo ka thënë se nëse nuk arrihet t’i priten këmbët variantit britanik të virusit, atëherë numri i rasteve me koronavirus do të dhjetëfishohet deri në muajin e katërt.

Merkeli raportohet t’u ketë thënë deputetëve se dhjetë javët e ardhshme janë vendimtare për menaxhimin e pandemisë në ekonominë më të madhe në Evropë.

Gjermania ka ashpërsuar javën e kaluar masat kundër COVID-19, duke e zgjatur mbylljen deri në fund të janarit nga frika se mund të ketë përhapje masive të variantit të koronavirusit të detektuar në fund të vitit të kaluar në Britani.

Instituti gjerman për sëmundje infektive, “Robert Koch”, ka raportuar të martën se brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 13 mijë raste të reja të sëmundjes. Gjermania ka regjistruar deri tani 41 mijë e 577 vdekje të lidhura me COVID-19.

Bavaria po diskuton mundësinë që ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin e infermiereve në shtëpi të pleqve, për shkak se një pjesë e personelit po refuzon.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme