Meta: Sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë

Prishtinë | 10 Nën 2020 | 20:32 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatën e pandemisë së COVId-19 në Shqipëri duke i bërë thirrje qeverisë që të bëjë çdo përpjekje për rimbursimin e plotë të shpenzimeve, veçanërisht të pacientëve që mjekohen në banesë, të familjeve me ndihmë ekonomike dhe të pensionistëve.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se sistemi shëndetësor në vend rrezikon të zhytet në kolaps të thellë dhe të sjellë pasoja të rënda për qytetarët. Presidenti gjithashtu ka listuar disa prej masave që duhet të marrë qeveria.

“Në mungesë të një plani dhe strategjie konkrete për të përballuar përhapjen masive të pandemisë COVID-19, të reflektuar me shtim çdo ditë të numrit të qytetarëve të infektuar, fatkeqësisht edhe të humbjeve në jetë, sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve. Në këto kushte, është tepër e domosdoshme të shtohet masivisht numri i testimeve, si një mjet efikas për gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19.

Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan koordinimi i qartë dhe transparent me sistemin privat, për të bashkuar të gjitha energjitë dhe kapacitet e duhura. Thelbësore gjithashtu është vënia në eficiencë të plotë të mjekut të familjes, shtimi i stafit mjekësor dhe atij mbështetës, si dhe planifikimi i buxhetit të duhur në ndihmë të tyre. I bëj thirrje Qeverisë të bëjë çdo përpjekje për rimbursimin e plotë të shpenzimeve, veçanërisht të pacientëve që mjekohen në banesë, të familjeve me ndihmë ekonomike dhe të pensionistëve”, shkruan Meta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme