Në Britani, 60% e të rriturve janë vaksinuar

Prishtinë | 06 Pri 2021 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Tre në pesë njerëz të rritur në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit, tha të martën sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Sipas tij, 31,622,367 njerëz në total kanë marrë një dozë të vaksinës, ndërsa 5,496,716 janë vaksinuar me dy doza.

Shifra e fundit tregon se 10.4 për qind e popullsisë së rritur britanike është vaksinuar plotësisht, ndërsa 60% vetëm me një dozë.

Hancock tha se ky është një lajm “fantastik”.

Në një postim në Twitter, ai i falënderoi “të gjithë të përfshirët në shpërndarjen e vaksinave”.

“Ne po bëjmë përparime të mëdha në përpjekjen tonë kombëtare”, tha ai.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi i parë në botë që ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit në dhjetor të vitit të kaluar, me vaksinën Pfizer/BioNTech.

Dy vaksinat tjera që përdor ky vend janë: AstraZeneca dhe Moderna.

Të tria vaksinat duhet të jepen në dy doza për të qenë sa më efektive.

Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi.

Ajo ka regjistruar numrin më të madh të viktimave në kontinent: mbi 127,000.

Në total, mbi 4.3 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus atje.

Të ngjashme