Në këtë ditë kthehet shiu, të dielën u arrit temperatura rekord, 41.6 gradë

Prishtinë | 12 Gus 2019 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Vala e të nxehtit afrikan po dominon në territorin shqiptar edhe gjatë ditëve të para të muajit gusht.

Fundjava që lamë pas dhe dita e sotme shënuan kulmin e temperaturave më të larta të verës, plot 41.6 gradë celcius. Ndonëse pritet një normalizim i motit gjatë ditëve në vijim.

“3 valë të nxehti kemi pasur gjatë kësaj vere dhe kjo është e fundit. Parashikohet të marr fund ditën e mërkurë ku pritet të ketë vranësira dhe shira në territorin shqiptar sidomos gjatë pjesës së dytë të së mërkurës duke sjellë edhe rënie të temperaturave me të paktën 4 gradë celcius. Duke bërë që 15 ditëshin e dytë të gushtit vlerat termike të luhaten në 33 gradë afër vlerave normale klimaterike të muajit që ne ndodhemi”, thotë metereologe Adiola Bani.

Për shkak të temperaturave të larta rrugët e Tiranës i gjen të boshatisura. Të shumtë janë njerëzit që kanë zgjedhur të shkojnë drejt plazheve për t’i shpëtuar disi të nxehtit apo të qëndrojnë brenda shtëpive për t’u ruajtur nga rrezet e forta të diellit, sidomos në orar të drekës.

Megjithatë, disa të tjerë duhet të shkojnë në punë edhe në këto ditë të nxehta vere.

Teksa qershori dhe korriku u vlerësuan si muajt më të nxehtë në Evropë gjatë viteve të fundit, nuk vlen e njëjta gjë për Shqipërisë, pasi ka parë ditë vere me temperatura më të larta në të kaluarën.

“Nuk është vera më e nxehtë për territorin shqiptar, pasi 2015 ka shënuar edhe 43 gradë celcius, por për Evropën po është vera më e nxehtë”, thotë Bani.

Të ngjashme