Nga viti i ardhshëm do të mund të shëtisni në gjithë Austrinë me 3 euro në ditë

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 10:06 | Nga Ekonomia Online

Nga viti 2021 qeveria austriake parashikon që bileta vjetore për të udhëtuar me trena dhe mjetet tjera të transportit publik në gjithë Austrinë, të kushtojë 1.095 euro. Nëse kjo shifër pjesëtohet në ditë, atëherë bileta do të kushtojë vetëm 3 euro në ditë

Në kuadër të mbështetjes së qeverisë austriake për kompaninë ajrore Austria Airlines, në marrëveshje janë paraparë edhe masat për mbrojtjen e klimës. Për shembull, biletat e linjës ajrore nuk mund të kushtojnë më pak se 40 euro, shkruajnë mediat austriake, transmeton Albinfo Austria.

Në anën tjetër qeveria austriake nga viti i ardhshëm do të startoj me biletë vjetore prej 3 eurosh në ditë për gjithë trenat dhe mjetet tjera të transportit publik. Kështu ka njoftuar ministrja e Infrastrukturës dhe Mjedisit, Leonora Gewessler.

Gewessler ka deklaruar se është siguruar granti i nevojitur prej 240 milionë eurosh.

Qeveria austriake në një marrëveshje koalicioni mes partive në pushtet, parashikon biletë vjetore prej një euro në ditë për përdorimin e transportit publik për një shtet federal (Bundesland), dy euro për dy shtete federale (Bundesländer) dhe tre euro në ditë për gjithë Austrinë.

Sipas vendimit të Qeverisë së Austrisë, bileta vjetore për gjithë Austrinë do të kushtojë saktësisht 1,095 euro, që është një zbritje e madhe në krahasim me çmimin aktual, sepse vetëm bileta vjetore e hekurudhave (ÖBB) për gjithë Austrinë kushton, thuajse dyfish më shtrenjtë, pra 1.944 euro.

Për këtë arsye kompania e hekurudhave në Austri (ÖBB) ka njoftuar se parashikon të blejë trena të rinj deri në 500 milion euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme