Nis tërheqja e trupave dhe armatimeve nga Afganistani

Prishtinë | 01 Maj 2021 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se nga Afganistani po largohen trupat dhe armatimet, pak ditë përpara fillimit zyrtar të tërheqjes amerikane.

“Tërheqja është në proces,” u tha zëvendës sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre gazetarëve në bordin e avionit presidencial. Tërheqja shënon fillimin e fundit të luftës më të gjatë të Amerikës.

Zëdhënësja tha se tërheqja do të kryhet në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme që siguron mbrojtjen e forcave.

Ajo tha se nëse tërheqja sulmohet nga kundërshtarët e mundshëm, “ne do të mbrojmë veten dhe partnerët tanë, me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion.”

Po të enjten, një zyrtar i NATO-s konfirmoi për Zërin e Amerikës se një pjesë e 7,000 trupave shumëkombëshe në Afganistan janë larguar.

“Ne planifikojmë ta përfundojmë tërheqjen brenda pak muajsh,” tha zyrtari.

Konfirmimi i tërheqjes vjen vetëm një ditë pasi Presidenti Biden e mbrojti vendimin e tij në fjalimin që mbajti përpara një seance të përbashkët të Kongresit.

Zoti Biden tha se lufta në Afganistan, që nisi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kurrë nuk ishte menduar se do të se do zgjaste kaq shumë.

“Ne shkuam në Afganistan për të eliminuar terroristët që na sulmuan,” tha Presidenti Biden, duke shtuar se drejtësia u vu në vend. “Pas 20 vitesh trimërie dhe sakrifice të guximshme, është koha për t’i kthyer trupat në shtëpi”, tha ai.

Por Shtëpia e Bardhë gjithashtu konfirmoi të enjten se numri i forcave amerikane në Afganistan do të ketë një rritje të përkohshme së shpejti, për shkak të masave shtesë të sigurisë.

SHBA kanë dërguar gjithashtu katër bombardues me rreze të gjatë veprimi B-52 në Katar për të siguruar mbulim ajror për tërheqjen, ndërsa grupi goditës i aeroplanmbajtëses USS Dwight D. Eisenhower do të qëndrojë në rajon deri në korrik për të siguruar mbrojtje shtesë.

Komandanti i forcave amerikane në Afganistan, Gjenerali Scott Miller, u tha gazetarëve në Kabul se elementet e tërheqjes kishin filluar dhe se trupat amerikane ishin në procesin e kalimit të pajisjeve dhe armatimeve tek forcat afgane të sigurisë.

Por largimi i 2,500 deri në 3,500 trupave që SHBA kanë ende në Afganistan vjen ndërsa zyrtarët afganë raportojnë se forcat e tyre janë angazhuar në luftime të ashpra kundër luftëtarëve kryengritës talibanë në të gjithë vendin.

Zyrtarët e lartë ushtarakë amerikanë kanë shprehur shqetësim në lidhje me dhunën e përshkallëzuar dhe aftësinë e forcave afgane për t’i bërë ballë presionit në rritje.

“Do të jetë një kohë e vështirë për ushtrinë afgane,” tha të enjten gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie për Televizionin Alhurra./VOA

Të ngjashme