Orbani nervozohet me shtetin gjerman, e anulon pjesëmarrjen në ndeshjen Gjermani – Hungari

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri hungarez është tërhequr nga pjesëmarrja në ndeshjen e sotme në Gjermani.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban e ka anuluar udhëtimin e planifikuar për në Mynih për ta ndjekur nga afër ndeshjen e Euro2020 mes Hungarisë dhe Gjermanisë si përgjigje ndaj kritikave të përhapura kundër qeverisë së tij mbi legjislacionin anti-LGBTQ+ që u miratua javën e kaluar, raporton The Guardian.

Orbani e lëshoi njoftimin disa orë pasi organi më i lartë qeverisës i futbollit evropian, UEFA, refuzoi një kërkesë nga këshilli i qytetit të Mynihut, për ta ndriçuar stadiumin Allianz Arena në ngjyrat e ylberit në mbështetje të komunitetit LGBTQ+.

Vendimi i UEFA-s u prit me një reagim në të gjithë Gjermaninë dhe rreth Evropës. Klubet e futbollit nëpër qytete, duke përfshirë Kolnin, Frankfurtin dhe Berlinin njoftuan planet për t’i ndriçuar stadiumet e tyre me ngjyrat e ylberit për ta “mbushur boshllëkun”, ndërsa organizatat e shoqërisë civile dërguan mesazhe mbështetje për aktivistët e LGBTQ +. Juventus dhe Barcelona ishin ndër klubet e tjera evropiane të futbollit që treguan mbështetjen e tyre ndaj këtij komuniteti.

UEFA ka mbrojtur vendimin e saj, duke thënë se çdo veprim i tillë do të binte ndesh me rregulloret e saj si organizatë e paanëshme politike. Por ditë më parë UEFA kishte vendosur se kapiteni i ekipit gjerman, Manuel Neuer, nuk i kishte shkelur ato rregulla duke mbajtur një shirit me ngjyra të ylberit në krah.

Orban, qeveria e të cilit miratoi legjislacionin që ndalon njerëzit nga komuniteti LGBTQ+ të shfaqen në materiale shkollore ose shfaqje televizive për personat nën 18 vjeç, i bëri thirrje qeverisë gjermane ta respektojë ndalimin e UEFA-s.

Kryetari i Mynihut, Dieter Reiter, të martën e quajti vendimin e UEFA-s “të turpshëm”.

Të ngjashme