Pfizer redukton dërgesat e vaksinave në BE

Prishtinë | 15 Jan 2021 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Qeveritë evropiane thanë se besueshmëria e programeve të tyre të vaksinimit ishte në rrezik pasi kompania farmaceutike amerikane Pfizer njoftoi për një ngadalësim të përkohshëm të dërgesave të vaksinave kundër COVID-19.

Imunizimi me vaksinën e Pfizer dhe partnerit të saj gjerman BioNTech në BE filloi në fund të dhjetorit, por gjatë një takimi këtë javë, rreth nëntë nga 27 qeveritë e BE-së u ankuan për doza “të pamjaftueshme”.

Pfizer fillimisht tha se dërgesat po vazhdonin sipas planit, por më pas të premten njoftoi se do të ketë një reduktim të përkohshëm të dërgesave në fund të janarit deri në fillim të shkurtit për shkak të ndryshimeve në procesin e prodhimit. Pfizer tha se synon të rrisë prodhimin.

“Kjo situatë është e papranueshme”, thanë ministrat e shëndetësisë dhe çështjeve sociale të gjashtë shteteve të BE-së në një letër drejtuar Komisionit Evropian.

“Kjo jo vetëm që ndikon në oraret e planifikuara të vaksinimit, por gjithashtu zvogëlon besueshmërinë e procesit të vaksinimit”, thanë ministrat nga Suedia, Danimarka, Finlanda, Lituania, Letonia dhe Estonia.

Gjermania, blerësi më i madh në Evropë i vaksinës Pfizer, e quajti vendimin të habitshëm dhe për keqardhje, ndërsa Kanadaja tha se gjithashtu ishte prekur nga kjo masë, sepse furnizimet e saj vijnë nga një fabrikë Pfizer-it në Belgjikë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Pfizer e kishte siguruar atë që dërgesat e planifikuara në BE, në tremujorin e parë, nuk do të vonohen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme