Policia zbulon 15-vjeçaren në nivelin e fundit të “Balenës Blu”

Prishtinë | 01 Kor 2017 | 10:16 | Nga

Një vajzë 15 vjeçe mund të shkonte drejt vetëvrasjes, në rast se policia nuk do të kishte ndërhyrë për t’i dhënë fund pjesëmarrjes së saj në lojën e rrezikshme “Balena Blu”.

E mitura kishte kohë që luante lojën vdekjeprurëse, bën të ditur Policia. Vajza, sipas informacioneve të para, është nga periferia e Korçës dhe se kishte arritur deri në nivelin e 30-të të lojës së rrezikshme. E mitura, e cila mbetet anonime, prej disa javësh kishte nisur të luante lojën që e ka prejardhjen nga Rusia, duke iu bindur misioneve të përcaktuara nga kuratori. Sipas të dhënave nga Policia, rasti i të miturës është zbuluar nga Sektori i Krimit Kompjuterik në Policinë e Korçës.

15-vjeçarja i ishte nënshtruar lojës, por monitorimi, i cili është intensifikuar nga ky sektor i policisë, ka dhënë sinjalin e parë për rastin e vajzës, duke bërë që instancat të mobilizohen dhe të ndërhyjnë në kohë.

“Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon vetëvrasjen e një shtetaseje të mitur, e cila në rrjetin social ‘Facebook’ ndiqte udhëzime dhe ishte bërë pjesë e lojës ‘Balena Blu’. Më datë 29.06.2017, në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë ardhur disa informacione në rrugë operative se një shtetase 15-vjeçare, banuese në qarkun e Korçës, duke qenë përdoruese e rrjetit social ‘Facebook’, mund të kishte marrë disa udhëzime nga një adresë ende e paidentifikuar me përdorues ‘Balena Blu’”, bën me dije zyrtarisht Policia.

Kohët e fundit që vajza kishte nisur të luante “Balenën Blu”, mësohet se ajo ishte mbyllur në vetvete duke rrezikuar që të kalonte deri në vetëvrasje, që është edhe niveli final i lojës. Burime të rezervuara nga grupi hetimor bënë me dije se e mitura kishte kaluar nivelet njëri pas tjetrit dhe kishte refuzuar madje edhe komunikimin me prindërit e saj, ndërsa i vetmi kontakt me pjesën tjetër mbetej interneti. Pasi Policia ka identifikuar vajzën, ka sinjalizuar edhe familjarët dhe e ka lokalizuar duke mundësuar ndërprerjen e veprimeve të mëtejshme, që mund ta kishin çuar këtë të fundit deri në vetëvrasje. Ndërkohë, nga ana e Policisë, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për këtë arsye nuk jep të dhëna të tjera për të. Gjithashtu po punohet edhe për zbulimin se kush fshihet pas përdoruesit me emrin “Balena Blu” në rrjetin social “Facebook”, ndaj të cilit rëndon akuza “Shkaktimi i vetëvrasjes, mbetur në tentativë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme