Pompeo: Do të vazhdojmë t’u ndalojmë hyrjen në SHBA zyrtarëve të korruptuar, edhe shqiptarë

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 17:44 | Nga Ekonomia Online

Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo theksoi se Shtetet e Bashkuara do t’i shtojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin në mbarë botën.

Korrupsioni, thotë kryediplomati amerikan, fuqizon dhe mbështet udhëheqësit autokratë, dobëson besimin tek sistemet demokratike dhe krijon mundësi për aktorë të tretë që të shfrytëzojnë vendet partnere të Shteteve të Bashkuara.

Sekretari Pompeo njoftoi se gjatë vitit 2019, për shkak të përfshirjes në korrupsion madhor, rreth 40 zyrtarë të huaj dhe anëtarët e familjeve të tyre janë përfshirë nga Departamenti i Shtetit në listën e atyre që u ndalohet hyrja së bashku me familjet në ShBA. Uashingtoni, tha ai, do ta vazhdojë më tej këtë praktikë.

Nga Shqipëria në këtë listë, janë 3 ish zyrtarë dhe familjet e tyre, që e çojnë në 14 numrin e përgjithshëm të individëve që u ndalohet hyrja në Amerikë.Zyrtari i fundit nga Shqipëria i përfshirë në këtë listë ishteish kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. E njëjta masë është marrë më parë për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ish-deputetin socialist Tom Doshi.

Sipas ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste të mëdha korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë, i ndalohet hyrja në Amerikë.

Vangush Dako, bëhet kështu zyrtari i tretë nga Shqipëria që ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen. Para tij, e njëtja masë është marrë ndaj ish Prokurorit të Përgjithshëm Adritaik Llalla dhe ish deputetit socialist Tom Doshi.

Ligji që u ndalon hyrjen në ShBA të zyrtarëve të huaj, është një prej mjeteve që ka në dispozicion administrata amerikane për të luftuar korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga zyrtarë të huaj. Në ndryshim nga ligjet për dhënien e vizave, ku në rast refuzimi, vendimi është konfidencial, ligji që përcakton zyrtarët e huaj si persona jo të përshtatshëm për të hyrë në Amerikë, nuk është konfidencial dhe mund të bëhet publik.

Ky ligj i ka fillesat në vitin 2008, kur Kongresi, synoi të identifikojë dhe të shpallë të papërshtatshëm për të hyrë në Amerikë zyrtarë të huaj të përfshirë në afera korruptive për të shfrytëzuar burimet natyrore të vendeve të tyre.

Në vitin 2012, Kongresi e zgjeroi hapësirën e shtrirjes së këtij ndalimi, duke përfshirë në të termin “raste të mëdha korrupsioni” dhe sqaroi se njoftimi për individët përkatës mund të bëhej publik ose të mbetej privat.

Rasti i parë që Depaertamenti i Shtetit e përdori këtë ligj, ishte në shkurt të vitit 2018, kur ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla.

Në njoftimet e Departamentit të Shtetit nuk përmendet se për cilat raste specifike bëhet fjalë për këta zyrtarë.

Në të kaluarën Zëri i Amerikës ka nxjerrë në pah, rastin e hetimeve të Prokurorisë për kryetarin e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili rezulton të ketë mbajtur kontakte me anëtarët e një grupi të krimit të organizuar, i njohur si grupi i “Avdylajve” që dyshohet të jetë përfshirë në blerje votash në ndihmë të zotit Dako gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2017s.

Bisedat e përgjuara telefonike sipas dosjes së prokurorisë tregojnë gjithashtu një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes Dakos dhe vëllezërve Avdyli, kontributi i të cilëve në zgjedhje duket se është shpërblyer me qasje pranë disa institucioneve kyçe në Durrës. Zoti Dako i ka mohuar akuzat.

Gjatë një debati në parlament për këtë rast, kryeministri Rama i doli në mbrojtje zotit Dako, duke i quajtur përgjimet “llafe kafenesh”, ndonëse më pas nuk e kandidoi më zotin Dako për zgjedhjet e fundit lokale të 30 qershorit, por pa njohur përgjegjësi për rastin e tij.

Deri mbrëmjen e së martës, nga shumica qeverisëse nuk pati asnjë reagim për vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit ndaj ish kryebashkiakut të Durrësit. Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha përmes një statusi në Facebook u shpreh se “është lajm i mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur non grata Vangjush Dakon për “përfshirje në raste të mëdha korrupsioni.” Është lajm i keq që Vangjush Dako nuk ka dalë akoma para drejtësisë për asnjë rast korrupsioni”.

Ish kryebashkiaku ka qenë një ndër emrat më të kaluar nga opozita për korrupsion dhe lidhje me personazhe të botës së kriminalitetit, për një kohë të gjatë. Edhe në reagimin e tij të sotëm, zoti Basha shkruan se “Vangjush Dako nuk është vetëm një politikan i korruptuar. Ai është pjesë e krimit te organizuar, në bashkëpunim me të cilin vodhi zgjedhjet për llogari të pushtetit të Edi Ramës. Si shpërblim, Vangjush Dako i dorëzoi krimit të organizuar kontrollin ekonomik dhe politik të Bashkisë së Durrësit. Është lajm i keq që Vangjush Dako ka si mburojë paprekshmërie nga drejtësia kryeministrin e vendit, Edi Rama”, shprehet zoti Basha duke shtuar se “veprat e mëdha të korrupsionit janë bërë nën mbrojtjen, me dijeninë dhe për përfitimin e Edi Ramës. Është Edi Rama ai që e mbron Vangjush Dakon apo siç e quajnë miqtë e tij, bankomatin personal të parave të pista të Edi Ramës”.

Nga 2017 deri më sot janë rreth 170 zyrtarë dhe ish zyrtarë shqiptarë të cilëve ambasada në Tiranë u ka refuzuar vizat. Emrat e tyre nuk janë bërë të njohur publikisht.

Janë mbi 170 zyrtarë dhe ish zyrtarë shqiptarë, së bashku me familjet e tyre, të cilëve, që prej vitit 2017 e deri më sot, u është mohuar ose revokuar viza për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky fakt u bë i ditur sot nga ambasada amerikane në Tiranë në një deklaratë për gazetën Panorama. ““Ambasada e SHBA vazhdon të ushtrojë autoritetin e vet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se një individ mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet antikorrupsion në Shqipëri”, shpjegon selia diplomatike amerikane ndërsa thekson më tej se ajo i merr “shumë seriozisht pretendimet për korrupsion dhe do të vazhdojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publikë me kontroll shtesë”.

Në fillim të vitit 2017, ambasada amerikane njoftoi se i kishte refuzuar vizën një grupi prej disa gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë të nivelit të lartë, mes të cilëve dhe Prokurorit të Përgjithshëm të kohës Adriatik Llalla. Në 2018-ën, me vendim të Sekretarit amerikan të Shtetit, zotit Llalla dhe familjes së tij, ju ndalua përgjithmonë hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ndaj zotit Lalla që prej vitit të shkuar ka nisur një hetim, nën dyshimet për disa vepra penale, që nga korrupsioni te pastrimi i parave. Një vendim i ngjashëm me atë ndaj ish kryeprokuorit është marrë dhe ndaj deputetit Tom Doshi, i rreshtuar në krah të shumicës aktuale.

“Pozicioni i Ambasadës së SHBA kundër korrupsionit dhe synimi i saj për t’iu mohuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar mbetet i pandryshuar”, përfundon deklarata e sotme e selisë diplomatike amerikane në Tiranë.

Në Shqipëri fenomeni i korrupsionit vlerësohet të jetë gjerësisht i përhapur dhe në nivele shqetësuese. Raporti i fundit i Trasparency International, e renditi Shqipërinë në vendin e 99-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte e 91-ta. Raporti që përfshinë 180 vende të botës përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar. Sipas Trasparency International “duke qenë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria ishte përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit me pesë pikë. Por, krahasuar me një vit më parë ajo ka shënuar rënie për dy pikë, nga 38 në 36 në krahasim me vitin e kaluar. Kjo mund të jetë për shkak të një ngërçi politik që bllokoi disa reforma anti-korrupsion të ecin përpara. Me një proces të ri të vettingut dhe kuadrin institucional të kundër korrupsionit pothuajse të plotë, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të përmirësojë rezultatin e saj në të ardhmen”, vlerësonte raporti.

Të ngjashme