Presidenti Ilir Meta kthen ndryshimet në ligjin e Policisë

Prishtinë | 24 Nën 2020 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin për Policinë e Shtetit me argumentin se ato shkelin në mënyrë të drejtpërdrejtë Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për Drejtat e Njeriut.

Në raportin e arsyetimeve që shoqëron dekretin, kreu i shtetit konstaton se ndryshimet e miratuara shkelin parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjithashtu presidenti vlerëson se këto amendamente bien ndesh me parimet e rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës dhe që lidhen me garancitë për ruajtjen e privatësisë.

Duke u ndalur në mënyrë konkrete te risitë që sjellin këto ndryshime, presidenti nënvizon se ligji me anë të të cilit u miratuan këto ndryshime rrezikon ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë, dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, për të survejuar kundërshtarët politik të forcës qeverisëse dhe intimiduar qytetarët apo mbështetësit e tyre.

“Me parashikimin e bërë në nenin 1 dhe 8 të tij, e kthen Policinë e Shtetit në një organ informativo- gjurmues, jashtë kontrollit procedural të gjykatës, në kundërshtim me misionin dhe funksionin që duhet të ketë Policia e Shtetit, dhe në shkelje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve që mund të survejohen pa asnjë lloj kufizimi”.

Sipas presidentit formulimi i nenit 131 të ligjit bazë, sa i takon verpimtarisë informative, shkon përtej detyrës që ka Policia e Shtetit. Ai thekson se përgjimi nga ana e policisë nuk duhet të bëhet pa një vendim gjykate dhe kontrollit nga ana e prokurorisë, pasi kjo do të linte vend për abuzim nga ana e policisë dhe të dhënat e grumbulluara mund të përdoren për shantazhe të ndryshme./Tv Klan

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme