PS merr drejtimin e shumicës së qarqeve, kjo është renditja e PD-së dhe LSI-së

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare 2021 ka përfunduar në 10 qarqe.

Partia Demokratike ka triumfuar në Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës, kurse PS në Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Berat.

Vetëm në 2 qarqe vijon ende numërimi, në Tiranë dhe Durrës. Në qarkun e Durrësit kanë ngelur edhe 68 qendra votimi për t’u numëruar, ndërsa në Tiranë ka edhe 259 qendra që pritet të japin rezultatin.

Procesi i numërimit ka vijuar i qetë, përveç një incidenti të ndodhur një ditë me parë në shkollën “1 Maji” në Tiranë, ku policia shoqëroi 8 persona.

Në të gjithë vendin, deri më tani PS kryeson me 710,182 vota, e pasuar nga PD-AN me 574,826, LSI deri më tani ka marrë 100,109 vota, kurse PSD 32,912 vota.

PS ka 74 mandate, ndërsa PD 59 mandate, LSI 4 dhe PSD 3 mandate. Nga 5198 qendra votimi deri më tani janë numëruar 4874, pra ngelen vetëm 294 për të nxjerrë rezultatin.

Deri më tani nga votat e numëruara kanë rezultuar 73899 të pavlefshme.

Të ngjashme