Qeveria franceze procedon projektligjin që lufton “fundamentalizmin fetar”

Prishtinë | 09 Dhj 2020 | 21:27 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Francës e procedoi në parlament projektligjin që synon të luftojë radikalizmin fetar, duke e quajtur atë “ligj të lirisë”. Disa vende myslimane e kanë kritikuar projektligjin.

“Ky projektligj nuk është një tekst i drejtuar kundër feve ose kundër fesë myslimane në veçanti”, tha para gazetarëve, kryeministri francez, Jean Castex.

“Është një ligj i lirisë, është një ligj i mbrojtjes, është një ligj i emancipimit kundër fundamentalizmit fetar”, ka thënë ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se legjislacioni do të shtrëngonte rregullat për çështje që variojnë nga arsimimi i bazuar në fe deri te poligamia.

Projektligji ka qenë në proces edhe para muajit tetor kur ndodhi vrasja e mësuesit Samuel Paty, të cilit iu pre koka në rrugë, pasi gjatë një ore mësimi kishte ilustruar një ligjeratë për shprehjen e lirë me karikaturat e profetit Muhamed.

Por, vrasja e kryer nga një çeçen 18-vjeçar, pas një fushate të vrullshme të mediave sociale kundër mësuesit, i dha një hov të ri projektligjit dhe nxiti përfshirjen në dokument të krimeve specifike të gjuhës së urrejtjes dhe përhapjes së informacionit personal në internet. Dy sulme tjera kanë ndodhur këtë vit në Francë, të cilat autoritetet i cilësuan si “sulme terroriste islamiste”. Një shtetas tunizian vrau tre persona në bazilikën Notre-Dame të Nicës, ndërsa një sulm kishte ndodhur edhe jashtë ish-zyrave të revistës, Charlie Hebdo.

Kryeministri Castex tha se projektligji i ri kundër ekstremizmit ishte i nevojshëm pas “sulmeve gjithnjë e më të shumta” kundër parimeve të Francës “që ndikojnë në aftësinë tonë për të jetuar qetësisht së bashku”.

“Kjo ideologji synon të përhapë urrejtje dhe dhunë në shoqëri”, tha Castex.

“Kjo është ajo që ne e quajmë separatizëm”, shtoi ai, duke përdorur një term të përdorur në mënyrë të përsëritur nga presidenti Macron.

Castex përmendi shqetësimet në lidhje me fëmijët që u morën nga shkollat franceze për t’u dhënë një arsim alternativ në objektet islamike.

Legjislacioni i ri ndalon “shkollat klandestine që promovojnë një ideologji radikale islamike”, tha ai.

Çfarë ka thënë Macron për projektligjin?
Më 2 tetor, presidenti Macron pati deklaruar se projektligji ka për synim “të mbrojë vlerat laike të shtetit”.

Macron tha se ekziston rreziku që një pakicë prej gjashtë milionë myslimanësh që jetojnë në Francë të formonin një “kundër-shoqëri”.

Sipas parimeve të rrepta të laicizmit të Francës, qeveria ndahet me ligj nga institucionet fetare.

Më vonë ai tha se vendi i tij po lufton “separatizmin islamik, kurrë Islamin”.

Masat e reja do të përfshijnë: një monitorim më të rreptë të organizatave sportive dhe shoqatave të tjera në mënyrë që ato të mos bëhen një hapësir për mësimet islamike; ndaljen e dërgimit në Francë të hoxhallarëve nga jashtë; mbikëqyrje e përmirësuar e financimit të xhamive dhe kufizimin e mundësisë së shkollimit në shtëpi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme