Ahmeti: Fukarallëku të çon në derë të dushmanit

Prishtinë | 12 Dhj 2016 | 14:57 | Nga

Situata e krijuar me rezultatin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit në Maqedoni, duhet të jetë alarm për të gjithë atdhetarët e mirëfilltë që të shkunden nga inatet personale, të ftojnë një Kongres të Bashkimit dhe të bashkuar të shndërrojnë institucionet e shtetit të Maqedonisë në arenë të luftës politike për të hequr diskriminimin racial që ky shtet aplikon kundër shqiptarëve. Kështu konsideron kreu i BDSH’së, Bardhyl Mahmuti.

Tutje, politologu shqiptar nga Maqedonia, duke ju referuar votuesve shqiptarë që zgjodhën LSDM’në në kuti të votimit, thotë se fukarallëku i shty ata në derë të dushmanit.

Ky është postimi i tij në facebook:

Fukarallëku të çon në derë të dushmanit!
Me shqetësim të madh lexoj analizat dhe komentet e ndryshme lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Maqedoni. Nga të gjitha shkrimet që pata mundësi t’i lexoj për këtë çështje del në pah “shqetësimi për humbjen e mandateve shqiptare” në Parlamentin e Maqedonisë.

Fillimisht po tërheq vëmendjen rreth mospajtimeve të mia me qasjen e këtillë ndaj Çështjes shqiptare në Maqedoni. Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje politike dhe jo çështje matematike ku numrat kanë vlerë të caktuar. Fatkeqësisht, duke e trajtuar Çështjen shqiptare në Maqedoni si çështje numrash, deputetët e partive politike shqiptare ishin të punësuar në parlamentin maqedonas vetëm si numra për operacionet matematike të kalkulimeve në mes strukturave udhëheqëse të partive politike.

Duke u nisur nga fakti se të qenit deputet për shqiptarët ishte një VEND PUNE në Parlamentin e Maqedonisë humbja e disa vendeve të punës nuk është tragjike aq sa mundohen ta paraqesin të “shqetësuarit për humbje mandatesh”.
Mandati i përfaqësimit politik i popullit shqiptar në institucioneve të këtij shteti që aplikon diskriminim racial ndaj shqiptarëve nuk është realizuar asnjëherë në interes të popullit. Si pasojë e këtij diskriminimi të paparë në Evropë shqiptarët që jetojnë në këtë shtet janë njerëzit më të varfër që ka kontinenti ynë.

Varfëria që solli ndër shqiptarët shteti maqedonas, me pjesëmarrje në qeveri edhe të atyre shqiptarëve që nuk ishin gjë tjetër pos numra, pati si efekt negativ demoralizimin e përmasave të mëdha. Ky demoralizim u shndërrua në një revoltë kundër strukturave të partive që kishin qenë me rotacion pjesë e qeverisjes dhe ajo që “shqetëson” një numër të caktuar analistësh të kësaj situate lidhet me faktin se mbi 70 mijë votues shqiptarë kanë votuar për një parti maqedonase (LSDM), e cila kur ka qenë në pushtet ka kryer krime kundër shqiptarë në të njëjtën masë si edhe VMRO-ja. Unë nuk habitem nga ky fakt.

Ajo që më shqetëson më së shumti në këtë situatë ka të bëjë me fakti se ndër ne ka marrë kuptim të plotë fjala e njohur popullore: Fukarallëku të çon në derë të dushmanit!

Prandaj, mos u “shqetësoni” për humbjen e dhjetë vendeve të punës në Parlamentin e Maqedonisë, por të shqetësohemi të gjithë me gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në shtetin që aplikon diskriminim racial kundër tyre.

Situata e krijuar me rezultatin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit 2016 duhet të jetë ALARM për të gjithë atdhetarët e mirëfilltë që të shkunden nga inatet personale, të ftojnë një Kongres të Bashkimit dhe të bashkuar të shndërrojnë institucionet e shtetit të Maqedonisë në arenë të luftës politike për të hequr diskriminimin racial që ky shtet aplikon kundër shqiptarëve. Vetëm atëherë mund të dilet nga logjika e të qenit “numër kalkulimesh “ dhe të realizohet qëllimi i mandateve politike për të cilat i ngarkon populli.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme