Kosovari bërtet “Allahu Akber” në Vlorë, tenton të marrë peng tre veta

Prishtinë | 17 Gus 2016 | 16:20 | Nga

Një person me pritje terroriste është arrestuar sot në Vlorë. Dijar Xhema, 29 vjeç, lindur e banues në Mitrovicë të Kosovës ka kërcënuar dhe ka tentuar të rrëmbejë tre persona, bën të ditur policia.

“Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka dhunuar fizikisht, psikologjikisht dhe ka tentuar të rrëmbejë me mjetin e tij “Audi” me targa KS02300CO, tre shtetas me inicialet: B.N, N.I, dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës brenda një harku kohor prej 2 orësh”, thotë policia.

Ky person është dëgjuar duke thirrur në ambiente publike:“Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut”, dhe “Do ju vras të gjithëve”.

Policia gjithashtu informon se : “Nisur nga veprimet e kryera, informacionet e dhëna nga qytetarë dhe reagimi në kohë rekord i strukturave të policisë u lokalizua dhe u neutralizua autori i dyshuar i këtyre akteve duke bërë kështu parandalimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale me pasoja dhe impakt në publik”.

Terroristi nga Kosova gjatë gjithë kohës ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë. Ndërsa në makinë iu gjet kanabis sativa.

“Dijar Xhema ka dyshime të bazuara dhe arsyeshme, se me veprimet ka konsumuar elementet e veprave penale: “Vepra me qëllime terroriste”; “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”; “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, (të mbetura në tentativë); “Prodhim dhe shitje narkotikeve”, bën të ditur policia.

Ky person paraqet rrezikshmëri pasi në Kosovë është i evidentuar si person me precedent kriminal për tendencën e vrasjes, rrëmbim, dhunim personi, dhunim i punonjësve të organeve ligjzbatuese, mbajtje dhe përdorim pa leje të armëve të zjarrit. (Panorama.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme