Brenda 2016-ës, 164 milionë lekë mirëmbajtje për tunelin e Kalimashit

Prishtinë | 22 Gus 2016 | 11:23 | Nga

Shqiptarët vazhdojnë të paguajnë për autostradën Durrës-Kukës, ose siç njihet “Rruga e Kombit”. Fillimisht u pagua për ndërtimin e saj, ku mësohet se kostoja ka shkuar 1.3 miliardë euro.

Më pas, shqiptarët vazhdojnë të paguajnë taksën e qarkullimit, të futur në çmimin e naftës. Përpos këtyre pagesave, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hedhur idenë se kjo rrugë të jepet me koncesion, përkundër një tarife për përdoruesit e saj.

Kështu, një veturë mund të paguajë deri në 3 euro për çdo kalim, ndërsa mjetet e mëdha, deri në 5 euro. Janë hapur procedurat e dhënies me koncesion, ndërsa është shpallur edhe fituesi.

Ndërkohë, sipas dokumenteve që disponon gazeta “Shqip”, Autoriteti Rrugor Shqiptar, megjithëse kjo rrugë është në procesin e dhënies me koncesion, ka akorduar plotë 164 milionë lekë të reja për mirëmbajtjen e tunelit të Kalimashit.

Nuk dihet përse jepet ky fond në këtë kohë, megjithëse vetë ARRSH-ja e pranon se objektivi kryesor i saj mbetet dhënia me koncesion e mirëmbajtjes, operimit, menaxhimit dhe tarifës së paguar për korridorin rrugor Milot deri në Morinë, dhe kjo procedure pritet të përfundojë brenda vitit 2016.

“Përgatitjet mbi këtë objektiv kanë nisur me asistencë nga financimi i Bankës Botërore. Ndërkohë, gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve do të vazhdohet me kontratën për operimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe sistemeve të Tunelit të Thirrës si dhe të vetë tunelit të Thirrës, deri në dorëzimin e tunelit dhe pajisjeve të tij koncesionarit të suksesshëm, me qëllim që të sigurohet në vazhdimësi puna operuese e mirëmbajtja e tunelit në përputhje kjo me qëllimet e Direktivës së BE-së 2004/54/EU mbi kërkesat minimale të sigurisë për tunelet e Rrjetit Rrugor Trans-Europian” thuhet në dokumentet.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme