Carl Bildt takon liderët e partive në Maqedoni

Prishtinë | 18 Pri 2017 | 19:00 | Nga

Bashkëkryesuesi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme dhe ish-kryeministër dhe shef i diplomacisë së Suedisë, Carl Bildt qëndron për vizitë sot në Maqedoni, me ç’rast zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike.

Bildt pas takimit të sotëm me kryetarin e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) Zoran Zaev deklaroi se çelësi për zgjidhjen e çdo problemi është në Kushtetutën, e cila ekziston në çdo vend demokratik dhe duhet të respektohet.

“Keni kushtetutë, patët zgjedhje. Kushtetuta e cila është e harmonizuar me atë të BE-së, e kjo ndonjëherë mund të paraqet problem, kjo na është e njohur”, deklaroi Bildt.

Për gjithçka, potencon ai, ka zgjidhje dhe pavarësisht a bëhet fjalë për Maqedoninë, Greqinë, Suedinë, çelësi për zgjidhjen e problemit është çdo herë në Kushtetutë.

“Maqedonia kryesohet nga maqedonasit, por Maqedonia dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, gjegjësisht t’i vazhdojë negociatat dhe unë personalisht e mbështes në këtë proces me vite. Këtu sigurisht është problemi me emrin, por edhe problemet tjera të cilat duhet të zgjidhen. Ekzistojnë standarde demokratike të cilat duhet respektuar, nëse dëshironi të jeni pjesë e BE-së”, deklaroi Bildt.

Sipas njoftimit të LSDM-së, Zaev dhe Bildt në takim konstatuan se proceset demokratike janë të doemosdoshme për përparimin e Maqedonisë dhe se doemos duhet të mundësohen përmes respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve nga ana e të gjitha subjekteve politike dhe institucionet në shtet.

“Shumica parlamentare merr përsipër detyrimin që të zhbllokojë procesin demokratik në Parlament në pajtim me Rregulloren, Kushtetutën dhe ligjet. Shpejtë do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, e më pas edhe Qeveria e re reformuese. Ky është vendimi i shumicës së qytetarëve, i shprehur në zgjedhje kredibile dhe të gjitha institucionet në shtet janë të detyruar të sigurojnë transfer të qetë të pushtetit”, tha Zaev në takim, njofton LSDM-ja.

Carl Bildt është takuar edhe me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti në selinë e kësaj partie, ku deklaroi se të gjithë duhet që të sillemi me përgjegjshmëri, thuhet në njoftimin e BDI-së.

“Ky ishte takim mjaft interesant pasi që Carl Bildt ka mjaft përvojë dhe është njohës i madh i politikës së këtushme, të Ballkanit, por edhe më gjerë. Duhet që të sillemi të gjithë me përgjegjshmëri”, tha Ahmeti.

Bildt përsëriti se ai është këtu që t’i dëgjojë partitë dhe se zgjidhja është në Kushtetutë. “Sot, ashtu siç e dini, po takohem me partitë politike në Maqedoni. Ata janë që duhet ta zgjedhin rrugën për zgjidhje. Porosinë e shkrova në ‘Twitter’: “Kushtetuta, demokracia dhe Evropa”, tha Bildt.

Bashkëkryesuesi me Këshillin Evropian për Punë të Jashtme, organizatë joqeveritare që merret me analiza politike, do të realizojë takime edhe me përfaqësues të Lëvizjes BESA dhe VMRO-DPMNE-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme