Greqia pritet ta bëjë edhe një hap për Maqedoninë drejt NATO-s, tregon Xhaferi

Prishtinë | 06 Shk 2019 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, thotë se të premten pritet që Parlamenti i Greqisë të ratifikojë protokollin e nënshkruar sot nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përmes së cilit mundësohet që Maqedonia të jetë shteti i 30 i anëtarësuar në aleancën më të madhe ushtarake.

Me këtë, Xhaferi thotë se po dëshmohet që Greqia po hap rrugën për Maqedoninë në NATO.

Në një prononcim për KosovaPress, Xhaferi ka përgëzuar qytetarët dhe institucionet e Maqedonisë për këtë arritje, që ai e quajti ditë historike.

“Përgëzoj qytetarët, institucionet, për arritjen, e kësaj dite historike. Në fakt tanimë është firmosur protokolli për aderim të Republikës së Maqedonisë në NATO, me këtë fillon procedura e ratifikimit të protokollit për anëtarësimin tonë NATO që nënkupton procedurë në të gjitha parlamentet nacionale të vendeve anëtare të NATO-s”, thotë ai.

Ai ka pranuar që ka pasur shumë sfida deri në këtë arritje.

“Kur tejkalohen gjithë ato sfida nuk mendohet më për sfidat për faktin që i kemi tejkaluar dhe nuk e llogarisim për ‘sfidë’”, ka thënë ai.

Kujtojmë se vendet anëtare të NATO-s, kanë nënshkruar sot, në Bruksel, protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën më të madhe ushtarake.

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, ditën e sotme e konsideroi historike.

Në mbledhjen e Këshillit, që zhvillua në selinë e NATO-s, mori pjesë edhe ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov.

Tani, Protokolli duhet ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare.

E deri në ratifikimin nga të gjitha vendet anëtare, Maqedonia mund të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit, por pa të drejtë vote, ose vendosje të flamurit. Pasi të përfundojë ratifikimi, bëhet anëtare e plotë.

Hapja e rrugës drejt anëtarësimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, u bë me zgjidhjen e ngërçit 30 vjeçar mbi emrin, me Greqinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme