“Kroacia e re dhe rivalja e Greqisë”, gazeta spanjolle nxjerr në pah bukuritë shqiptare

Prishtinë | 17 Gus 2022 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Një prej gazetave më të njohura spanjolle “El Debate” së fundmi ka publikuar një artikull në lidhje me vendet turistike në Shqipëri.

“Kroacia e re, rivalja e Greqisë apo sekreti i fundit i Evropës”, janë disa nga epitetet me të cilat është përshkruar Shqipëria.

Sipas tyre Shqipëria po bëhet zbulimi i ri për turistët nga e gjithë bota për shkak të kulturës, plazheve dhe çmimeve, që janë shumë më të lira se në vendet fqinje dhe destinacione të tjera të ngjashme.

Ajo çfarë gazeta spanjolle ka nxjerrë më shumë në pah dhe që i bën turistët të vizitojnë Shqipërinë, është vija bregdetare mes Vlorës dhe Sarandës, e përshkruar si një nga zonat më të bukura në Evropën Jugore dhe si xhevahir i detit Jon.

Ksamili apo Parku Kombëtar i Butrintit janë dy destinacione të tjera që sugjerohen më së shumti për tu vizituar. Dhe sigurisht, Syri i Kaltër i cili konsiderohet një nga atraksionet turistike më të famshme në Shqipëri.

Porto Palermo përshkruhet si një ndalesë e detyrueshme dhe që tregon shumë për historinë e vendit. Po ashtu sugjerohen edhe Himara, plazhi i Gjipes dhe Qeparo.

Gjithashtu për sa i përket çmimeve, Shqipëria konsiderohet si një vend i përballueshëm si për hoteleri ashtu dhe për restorante.

Të ngjashme