Lëvizja për Bashkim reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Jashtëm maqedonas

Prishtinë | 13 Jan 2017 | 09:38 | Nga

Lëvizja për Bashkim ka reaguar ndaj deklaratës se Ministrit te Jashtëm te Maqedonisë, Nikolla Popovski-it që ka bërë në takimin me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit me liderët shqiptarë në Maqedoni.

Sipas këtij subjekti Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Popovski duke akuzuar liderët shqiptarë nga Kosova e Shqipëria për ndërhyrje në punët e brendshme, ndër të tjera ka thënë se Maqedonia ka qenë gjithnjë e drejtë në bashkëpunimin me fqinjët dhe se do të ishte shumë mirë, nëse ata i bashkohen Shkupit, jo të vendosin mina në këtë rrugë.

‘’Lëvizja për Bashkim e konsideron këtë deklaratë mjaft shqetësuese sepse përmes saj shprehet mungesa e gatishmërisë së shtetit maqedonas për të reflektuar mbi realitetin ekzistues në këtë shtet dhe mohimin e padrejtë të të drejtave të shqiptarëve atje, si komunitet shtetformues’’ thuhet në komunikatën e dërguar.

Konsultimi dhe koordinimi politik midis përfaqësuesve të një kombi, për avancimin e të drejtave të një pjese të tij nuk përbën kurrfarë veprimi agresiv apo precedenti në marrëdhëniet ndërkombëtare kaka thënë Lëvizja për Bashkim.

Veç tjerash në komunikatë thuhet se lidershipi maqedonas, duke u përpjekur ta pengojë komunikimin midis shqiptarëve në rajon, po dëshmon edhe një herë papjekurinë politike dhe mentalitetin e vet jodemokratik e izolues.

Lëvizja për Bashkim ka përfunduar duke thënë se nuk mund të konsiderohet bashkëpunim i mirë i Maqedonisë me Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë përderisa ky bashkëpunim synon të qëndrojë mbi vazhdimin e padrejtësive ndaj një pjese të kombit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme