Mbrojtja e Mlladiqit: “Gjenocidi i vitit 1992 i pavërtetuar”

Prishtinë | 13 Dhj 2016 | 10:19 | Nga

Në një deklaratë mbyllëse në gjyqin e Ratko Mlladiqit, mbrojtja tha se prokurorët e OKB-së nuk vërtetuan se forcat e ish-kreut ushtarak serb të Bosnjës kryen gjenocid në gjashtë komuna boshnjake në vitin 1992.

Avokati mbrojtës i Mlladiqit, Dejan Ivetiq tha në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë të hënën se prokurorët nuk kanë vërtetuar se ka pasur një plan të koordinuar për kryerjen e gjenocidit në gjashtë komuna apo që komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës ishte përgjegjës për persekutimin dhe spastrimi etnik atje.

Ivetiq u shpreh se krimet ishin kryer nga forcat e policisë speciale serbe të Bosnjës dhe autoriteteve lokale, mbi të cilat Mlladiqi nuk kishte asnjë autoritet.

“Gjenerali Mlladiq nuk mund të mbahet përgjegjës për veprimet e kryera nga autoritetet civile,” tha ai.

Mlladiq, 74 vjeç, akuzohet për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila në vitin 1992 dyshohet se arriti në shkallë gjenocidi në gjashtë komuna – Prijedor, Foca, Kljuc, Sanski Most, Kotor Varos dhe Vlasenicë.

Ai është gjithashtu në gjyq për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizimin e popullsisë në Sarajevë gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Për të treguar se nuk kishte asnjë qëllim gjenocidal për të shkatërruar boshnjakët dhe kroatët si grupe etnike, Ivetiq theksoi se popullsia joserbe qëndroi në komunën e Srbacit deri në fund të luftës.

Ai tha gjithashtu se boshnjakët dhe kroatët përbënin dhjetë për qind të anëtarëve të Ushtrisë Serbe të Bosnjës në fund të luftës.

“A kryen ata gjenocid kundër vetes dhe vetë familjeve të tyre? Kjo nuk është logjike, ashtu siç nuk janë as akuzat e prokurorisë. Prandaj ju duhet ta lironi gjeneralin Mlladiq,” tha ai.

Sipas Ivetiqit, përkundrazi, Mlladiq “absolutisht mbështeti një zgjidhje paqësore” dhe “bëri gjithçka mundi për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës”.

“Vrasjet ishin incidente të paplanifikuara, të cilat as nuk u miratuan dhe as nuk u projektuan nga Mlladiqi,” tha avokati mbrojtës.

Ai pohoi se popullsia joserbe nuk u largua për shkak të persekutimit nga forcat serbe të Bosnjës, por “zgjodhi të largohej” për shkak të luftës dhe mungesës së furnizimeve.

Edhe nëse Ushtria Serbe e Bosnjës zhvendosi njerëz nga zonat e luftës, kjo u bë “përkohësisht”, në përputhje me Konventat e Gjenevës, shtoi ai.

“Provat nuk tregojnë se popullsia lokale në duart e Ushtrisë Serbe të Bosnjës u dëbua me forcë,” tha Ivetiq.

Duke komentuar krimet e kryera në Prijedor në vitin 1992, të cilat prokurorët i përshkruan si një shembull gjenocidi, Ivetiq tha se grupet paraushtarake boshnjake shkaktuan luftën në komunë.

Ushtria Serbe e Bosnjës kreu “veprime legjitime” që synonin çarmatimin e paraushtarakëve, edhe pse disa serbë “reaguan nga frika e një gjenocidi të ri kundër tyre, si ai që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe jo për shkak të ndonjë plani të bërë nga Ratko Mlladiqi,” këmbënguli ai.

Ivetiqi tha se qendrat e paraburgimit ku u kryen krimet ndaj boshnjakëve dhe të burgosurve kroatë u ngritën nga komitetet serbe të Bosnjës të Ministrisë së Brendshme dhe komitetet e krizave të drejtuara nga autoritetet lokale, jo nga ushtria nën komandën e Mlladiqit.

Ivetiq tha se Mlladiq nuk merrte raporte për krime kundër civilëve, por vetëm raportet mbi “veprimet legjitime kundër paraushtarakëve”.

Duke iu drejtuar akuzës se Ushtria Serbe e Bosnjës varrosi rreth 500 civilë, të cilët u vranë gjatë një ofensive në zonën e Prijedorit, në një minierë në Tomasica, Ivetiq tha se edhe kjo nuk ishte vërtetuar.

“Sipas provave, trupat nuk u varrosën nga anëtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, por nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët mbanin uniforma të ngjashme,” tha ai.

Mbrojtja do ta përfundojë paraqitjen e argumenteve të saj mbyllëse të martën dhe më pas si prokuroria ashtu edhe mbrojtja-të dyja do të kenë mundësinë të hedhin poshtë deklaratat e njëri-tjetrit më 15 dhjetor.

Vendimi pritet të merret vitin që vjen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme