Mogherini-Hahn: Të formohet sa më shpejtë qeveria e re në Maqedoni

Prishtinë | 13 Dhj 2016 | 10:07 | Nga

Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së Federica Mogherini dhe eurokomisioneri për zgjerim, Johannes Hahn, e kanë vlerësuar pozitivisht procesin zgjedhor të ditës së diel në Maqedoni, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas agjencisë së lajmeve AIM, të dy përfaqësuesit e BE-së kanë porositur që të formohet sa më shpejtë qeveria e re, ndërkaq thonë se zgjedhjet janë kyçe për ripërtëritjen e dialogut demokratik dhe konstruktiv.

”Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në IRJM kaluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt, me një dalje të mirë të votuesve. Ato u përcollën nga misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve, që publikuan një deklaratë preliminare.

Këto zgjedhje të parakohshme ishin elementi kyç i Marrëveshjes së Përzhinos të vitit 2015. Ato i ofrojnë vendit mundësi kyçe për ripërtëritjen e dialogut demokratik dhe konstruktiv për tejkalimin e krizës afatgjate politike dhe bashkimin pas qëllimit të përbashkët të integrimeve euroatlantike”

”Me padurim presim formimin e shpejtë të kuvendit të ri dhe të qeverisë së re dhe zbatimin e reformave për vendosjen e sistemit të drejtësisë së qeverisës, por edhe të reformave urgjente parësore. Qeveria dhe opozita duhet të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme politike krejtësisht, përfshirë mbështetjen e punës së zyrës së Prokurorisë Speciale Publike”, thuhet mes tjerash në njoftimin nga BE-ja.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme