Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Malin e Zi, Gjukanoviq fitues

Prishtinë | 14 Sht 2020 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Malin e Zi ka shpallur të hënën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 30 gushtit.

Në bazë të rezultateve, Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit Millo Gjukanoviq, ka fituar 30 vende në përbërjen e re të parlamentit, koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, 27 deputetë, koalicioni, “Paqja është kombi ynë”- 10 dhe koalicioni “E zeza në të bardhë” katër vende.

Partia Boshnjake dhe Social-Demokratët fituan nga tri vende secila, Partia Socialdemokrate dy, dhe nga një vend në parlament e kanë fituar: Lista Shqiptare “Nik Gjeloshaj-Genci Nimanbegu” dhe koalicioni “Bashkë një za”.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, brenda 15 ditëve, kryetari i përbërjes së vjetër të parlamentit, Ivan Brajoviq, thërret seancën e parë të përbërjes së re të Parlamentit të Malit të Zi.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, propozon emrin e kryeministrit të ri në afat prej 30 ditësh që nga konstituimi i parlamentit.

Zgjedhjet në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht. Për herë të parë pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq ka humbur shumicën në parlament.

Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse.

Mali i Zi, përndryshe, konsiderohet lider në procesin e integrimit evropian. Ai ka qenë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka nisur negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, në qershor të vitit 2012.

Liderët e tri subjekteve politike të koalicionit opozitar, të cilat e kanë fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, në një konferencë për media më 9 shtator kanë prezantuar parimet mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme dhe të cilat nënkuptojnë bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, mosvënien në diskutim të njohjes së Kosovës dhe që përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të simboleve shtetërore të Malit të Zi.

Parimet e marrëveshjes u shpallën nga liderët e koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza mbi të bardhë” e Zdravko Krivokapiqit, Aleksa Beçiqit dhe Dritan Abazoviqit. /Rel

Të ngjashme