Vuçiqi i zemëruar me Kroacinë, largohet nga Brukseli

Prishtinë | 13 Dhj 2016 | 13:39 | Nga

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq bojkoton takimet në Bruksel, për shkak të bllokadës së Kroacisë. Vuçiqi kërcënon ndërsa Berlini nuk është dakord me bllokadat.

Vuçiqi do të bojkotojë ceremoninë e hapjes së kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, në qoftë se Kroacia vazhdon me bllokimin e hapjes së kapitullit 26 (për arsim dhe kulturë), njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA. “Mjaft më me kushtëzime”, tha Vuçiqi, i cili bëri të ditur se do të largohet nga Brukseli dhe do të kthehet në Beograd.

Zagrebi ka kërkuar përmirësimin e pozitës së minoritetit kroat në Serbi, në veçanti të lëndës mësimore në shkolla. Vuçiq e konfirmoi vendimin e tij pas takimit që zhvilloi me kreun e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

DPA njofton se kancelarja gjermane Angela Merkel në mënyrë indiskrete e ka “paralajmëruar” të hënën (11.12) kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkoviq, se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen me marrëveshje bilaterale mes vendeve dhe jo në nivelin e BE-së. Kështu është shprehur Merkel në konferencën për shtyp, pas takimit në Berlin me kryeministrin kroat.

„Vuçiqi ka humbur nervat”, e komentojnë mediat kroate sjelljen e kryeministrit serb në Bruksel, duke e quajtur atë si “hap të befasishëm”, shkruan DPA. Të martën (13.12) në Bruksel, në kuadër të negociatave të Serbisë me BE-në do të duhej të hapen kapitujt 5 (furnizimet publike) dhe 25 (shkenca dhe hulumtimet). Ndërsa kapitulli 26 sipas të gjitha gjasave nuk do të hapet.

Vuçiqi ka deklaruar para disa ditësh se llogarit me futjen e “vendit të tij të varfër” në BE deri në vitin 2025. Agjencia DPA deri tani është e vetmja nga hapësirat gjermano folëse, të cilat i kanë kushtuar vëmendje kësaj çështjeje.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme