Rama: Koha të ndajmë biznesin e ligjshëm nga ai kriminal

Prishtinë | 30 Jan 2020 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Sot në Tiranë po zhvillohet Forumi i dytë Ekonomik, ku fjalën hyrëse e pati kryeministri Edi Rama, i cili tha se ky takim është një platformë dialogu për të ecur më shpejt në funksion të fuqizimit të ekonomisë kombëtare dhe familjare, përmes bashkëpunimit të shëndetshëm mes sektorit publik e atij privat.

“100 vjet më parë në datën 30 janar të 1920 kishim Kongresin e Lushnjës që është një ngjarje shumë e rëndësishme në ndërtimin e shtetit tonë, një shteti që i ka gjithmonë sytë nga perëndimi për sa i përket zhvillimit të vet. Shpresoj që ky vit të jetë i mirë si për ne ashtu dhe për BE, edhe për rajonin dhe për marrëdhëniet me tona të gjithë fqinjët dhe besoj se kjo mund të shërbejë si themel për zhvillimin e ekonomisë si dhe për qytetarët tanë”, tha Rama.

Duke folur për arritjet në shifra, kreu i qeverisë shqiptare u përqendrua më së shumti te ulja e papunësisë dhe investimet e huaj në vend.

“Dhe meqë e di se kur vjen puna te ekonomia se njerëzit nuk i hanë e pinë shifrat, dhe duan të dinë pikën ku do jetë nesër, unë kam shumë shifra këtu, por po i përmbledh. Kemi normën më të ulët që prej 25 vitesh, sipas bankës botërore dhe e di që menjëherë që ata që po na ndjekin, do thonë se kjo ka ndodhur sepse njerëzit kanë ikur, por jo nuk vjen nga kjo gjë. Një shifër tjetër, investimet e huaja, kemi progres te investimeve”, tha ai.

Duke folur për ato se çfarë duhen përmirësuar, Rama i mëshoi sektorit të biznesit.

“Më lejoni të flas për sfidat, duhet të përmirësojmë klimën e biznesit, sjelljen e administratës, kemi nevojë për të përmirësuar sidomos atë pjesë që lidhet me biznesin. Gjatë këtij viti do kemi rezultate të qenësishme në këtë drejtim”, tha Rama.

Megjithatë në fund të fjalës së tij, Rama foli edhe për krimin e organizuar si një nga problemet më të mëdha.

“E dimë që një nga faktorët më problematikë është krimi organizuar dhe zhvatja, do të bisedojmë për një marrëveshje kundër krimit, duke i kërkuar çdo personi të dënuar deri tani të provojë që asetet që ka vijnë nga biznese legjitime, ndryshe të gjitha do të merren. Pra është një mesazh si biznesin e ligjshëm edhe të paligjshëm. Biznesit të paligjshëm do i themi që ky nuk është vendi i tyre dhe duhet të kalojnë shume vështirësi, ka ardhur koha t’i shkojmë pas atyre seriozisht e të bëjmë të mundur që të gjithë këto gjera negative që kanë bërë me krimin e organizuar duke hyrë në administratë e politikë, kjo kohë ka marrë fund. E pesta, është bashkëpunimi rajonal. Do të doja të zhvilloja një diskutim të mëtejshëm, për të fokusuar forumin ekonomik të Tiranës në përmirësimin e ekonomisë tonë të rajonit” u shpreh ai.

Të ngjashme