Rifillojnë luftimet në Nagorno-Karabakh

Prishtinë | 13 Dhj 2020 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet armene dhe ato azere kanë akuzuar njëra-tjetrën se kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit. Përplasjet e reja shënojnë shkeljen e parë të rëndësishme të marrëveshjes së paqes të ndërmjetësuar nga Rusia, më 10 nëntor.

Zyrtarë nga Nagorno-Karabakhu thanë se ushtria e Azerbejxhanit nisi një sulm të premten në mbrëmje duke lënë të plagosur tre ushtarë etnikë armenë, raporton theguardian.

Paqeruajtësit rusë që qëndrojnë të vendosur në këtë rajon për të monitoruar ruajtjen e paqes, raportuan se shkelja e paqes u bë në rajoni Gadrut. Raporti rus nuk caktoi fajtorin.

Në anën tjetër, presidenti i Azerbejxhanit, Ilham Aliyev, reagoi të shtunën duke fajësuar Armeninë për përplasje të reja. Ai deklaroi se ishin forcat armene ato që iniciuan shkeljen.

“Armenia nuk duhet të përpiqet të rifillojë përsëri gjithçka. Duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos planifikojë ndonjë veprim ushtarak. Kësaj radhe, ne do t’i shkatërrojmë plotësisht”, ka deklaruar Aliyev

Tutje, zyrtarët armenë kanë theksuar se ushtria azere është parë në dy fshatra të cilat i kishin rrethuar dhe po i kontrollonin.

Armenia dhe Azerbejxhani kanë vite në këtë konflikt në zonën e Nagorno-Karabakhut. Kjo zonë është e banuar me armenë etnikë mirëpo ndërkombëtarisht njihet si zonë azere.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme