Sërish pa sukses negociatat për marrëveshjen e paqes Rusi-Japoni

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Ka rezultuar sërish i pasuksesshëm takimi i katërt i mbajtur në kuadër të negociatave për marrëveshjen e paqes mes Rusisë dhe Japonisë, transmeton Anadolu Agency (AA). 

Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, ministri i Jashtëm i Japonisë, Taro Kono dhe ministri japonez i Mbrojtjes, Takeshi Iwaya janë takuar në Tokio në formatin e takimit 2+2.

Në një konferencë për shtyp pas takimit, ministri i Jashtëm japonez, Taro Kono, ka bërë të ditur se Tokio ka reaguar ndaj pranisë së njësive ushtarake ruse në ishujt të cilët Rusia i emërton “ishujt Kuril” dhe Japonia “rajonet veriore”.

“Nga pikëpamja ligjore është e papranueshme për ne që Rusia të rritë njësitë ushtarake në Territoret Veriore” tha Kono.

Ndërsa ministri rus Lavrov ka bërë të ditur se homologu i tij Kono ka shprehur shqetësimet e tij për aktivitetet e Rusisë në ishuj.

“Në përgjigje të kësaj theksuam qëndrimin tonë: forcat e armatosura ruse po veprojnë në territorin e tyre sovran në bazë të ligjeve ndërkombëtare”, tha Lavrov.

Përfaqësuesit rusë dhe japonezë diskutuan çështje të ndjeshme në negociatat që kaluan konstruktive dhe gjithashtu “jemi dakorduar për zhvillimin e një takimi të ri në Moskë në formatin 2 + 2”, shtoi më tej Lavrov.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Rusia dhe Japonia nuk mundën të nënshkruajnë marrëveshje zyrtare të paqes për shkak të mosmarrëveshjes në lidhje me pjesën territoriale të cilët Rusia i quan ishuj Kuril, ndërsa Japonia “territore veriore”.

Vitin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri japonez, Shinzo Abe ranë dakord të rrisin negociatat mbi një marrëveshje paqeje në bazë të deklaratës së përbashkët të vitit 1956.

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov dhe homologu i tij japonez, Kono, brenda këtij viti janë takuar tre herë në kuadër të negociatave ruso-japoneze. 

Të ngjashme