ShBA: E mirëpresim dënimin e Ratko Mlladiqit

Prishtinë | 08 Qer 2021 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka mirëpritur vendimin e Dhomës së Apelit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për t’ia konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm, kriminelit serb, Ratko Mlladiq.

“Ambasada e SH.B.A.-së në BiH mirëpret vendimin e sotëm nga Dhoma e Apelit e Mekanizmit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Penale që pohon dënimin e Ratko Mlladiqit. Vendimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt llogaridhënies së atyre individëve përgjegjës për vuajtjet e jashtëzakonshme të popullit të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa sjell një masë të drejtësisë të shumëpritur për viktimat dhe familjet e tyre.”

“Ne i nxisim të gjitha palët që ta respektojnë vendimin e gjykatës dhe të përkushtohen në pajtimin e vazhdueshëm dhe bashkëjetesën paqësore thelbësore për të ardhmen e një Bosnje e Hercegovine të qëndrueshme dhe të sigurt që mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Twitter.

Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara e ka dënuar me burgim të përjetshëm kriminelin serb, Ratko Mlladiq, duke konfirmuar vendimi i shkallës së parë.

Kryetarja e trupit gjykues, Prisca Matimba Nyambe deklaroi konstatimin e Dhomës së Apelit se Mlladiq nuk ka mundur ta hedhë poshtë përfshirjen e tij në krime.

Të ngjashme