ShBA-ja dëbon 10 diplomatë rusë në hakmarrje ndaj sulmeve kibernetike

Prishtinë | 15 Pri 2021 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Shtëpia e Bardhë ka marrë vendim të enjten për dëbimin e dhjetë diplomatëve rusë dhe për zbatimin e sanksione të reja, të ashpra ndaj Rusisë.

Vendimi përbën kundërpërgjigjen e parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjet ruse në zgjedhje presidenciale të vitit 2020 dhe sulmeve kibernetike ndaj agjencive qeveritare.

Qeveria amerikane ka specifikuar gjithashtu për herë të parë se sulmi kibernetik ishte organizuar nga Shërbimi i Inteligjencës ruse.

Hakerët rusë besohet se kanë infektuar një softuer qeveritar amerikan me një virus, duke siguruar qasje në rrjetin e së paku nëntë agjencive shtetërore.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Inteligjenca ruse, me këtë ndërhyrje, ka synuar që të mbledhë sekrete të qeverisë. Përveç sulmeve kibernetike, zyrtarët amerikanë gjatë muajit mars kanë akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, se ka autorizuar Inteligjencën për të ndihmuar në zgjedhjen e Donald Trumpit president më 2016.

Mirëpo deri më tani nuk është ofruar asnjë provë se Rusia apo ndonjë shtet tjetër ka ndikuar në ndryshimin e votës apo në manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Të enjten Kremlini ka deklaruar se do të kundërpërgjigjet ndaj çfarëdo sanksioni të jashtëligjshëm dhe ka tërhequr vërejtjen se masat e reja do t’i zbehin mundësitë për mbajtjen e një takimi mes dy presidentëve të shteteve.

Ndërkaq të martën, në një bisedë telefonike me presidentin rus, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja do të veprojë në mbrojtje të interesave të saj kombëtare, duke thelluar edhe më tej përplasjet e muajve të fundit.

Të ngjashme