ShBA-ja me numrin më të lartë të rasteve ditore në 6 muaj – mbi 100.000

Prishtinë | 05 Gus 2021 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara e kanë shënuar numrin më të lartë të rasteve ditore me Covid-19 në gjashtë muajt e fundit, me mbi 100.000 raste të raportuara të mërkurën, sipas bazës së të dhënave të agjencisë Reuters.

ShBA-ja është duke raportuar mbi 94.000 raste si shifër mesatare ditore, që është numër pesë herë më i lartë sesa para më pak se një muaji, tregojnë të dhënat e agjencisë së njohur të lajmeve.

Dr. Anthony Fauci, ekspert i lartë për sëmundje ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, tha të mërkurën se numri i rasteve ditore mund të dyfishohet në 200.000 në javët e ardhshme për shkak të variantit shumë ngjitës të virusit, Delta.

Sipas Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, 83 për qind e të gjitha rasteve të reja në Shtetet e Bashkuara i përkasin variantit Delta, i cili fillimisht është shfaqur në Indi.

Ekipi për Reagim ndaj Covid-19 i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se rreth 97 për qind e rasteve të rënda të të infektuarve janë persona të pavaksinuar.

Shtetet jugore të ShBA-së, që kanë një ndër shkallët më të ulëta të vaksinimit, janë duke e raportuar shifrën më të madhe të rasteve dhe hospitalizimeve. Në mesin e tyre janë Florida, Teksasi dhe Louisiana.

Të ngjashme