ShBA-ja pritet t’i japë edhe më tej ndihma Afganistanit, por assesi qeverisë së tij

Prishtinë | 04 Sht 2021 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka gjasë që do t’i financojë agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe agjencitë tjera që do të ofrojnë ndihma humanitare për Afganistanin, por assesi nuk pritet të ofrojë fonde drejtpërdrejt për qeverinë e udhëhequr nga talibanët, thanë të premten ndihmësit e Kongresit.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhuruese të mëdha të fondeve për Afganistanin që nga hyrja e ushtrisë amerikane në këtë shtet më 2001, kur talibanët ishin rrëzuar nga pushteti. Shtëpia e Bardhë ka ndarë gjithsje rreth 130 miliardë dollarë për sigurinë, qeverisjen, zhvillimin dhe nevojat humanitare të Afganistanit.

Ndihmësit e Demokratëve, të cilët e kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, dhe ndihmësit e republikanëve thanë se ligjvënësit janë pothuajse të sigurt për të ofruar ndihmë për të zhvendosurit brenda Afganistanit dhe për refugjatët, por jo edhe për qeveritë, të paktën jo tash për tash, shkruan Reuters.

“Do të ishte vështirë për t’i bindur anëtarët e Kongresit për të bërë çfarëdo veprimi, i cili do të dukej si përkrahje për qeverinë e talibanëve”, tha një ndihmës i lartë i Demokratëve të Senatit. Me këto fjalë u pajtua edhe një ndihmës i Republikanëve.

“Republikanët absolutisht që nuk do ta përkrahnin dhurimin e parave për talibanët”, tha ky ndihmës, duke shtuar se ata nuk duan që të ofrojnë fonde derisa amerikanët dhe afganët që kanë punuar për Shtetet e Bashkuara të largohen nga Afganistani.

Të ngjashme