Shpërndarja e vaksinave, tjetër mollë sherri mes BE-së dhe Britanisë së Madhe

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 19:58 | Nga Ekonomia Online

Raportet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe kanë marrë një kahje të re diplomatike të mërkurën, pasi përfaqësuesi evropian në Londër është thirrur në bisedë informative për t’i shpjeguar pretendimet rreth ndalimit të eksportimit të vaksinave nga vendi.

Mbretëria e Bashkuar është shprehur e tensionuar nga komentet e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, se Britania ka “vendosur ndalesë për eksportimin e vaksinave kundër COVID-19”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka bërë të ditur se Qeveria nuk ka vendosur kurrfarë bllokade për eksportimin e vaksinave, ndërsa deklarimet nga blloku i ka cilësuar si plotësisht të pavërteta. Britania ka shënuar sukses të konsiderueshëm në procesin e vaksinimit, krahasuar me 27 vendet anëtare të bllokut evropian.

Deri më tani, në Britani kundër koronavirusit janë vaksinuar rreth 35 për qind e të rriturve, ndërsa në gjithë BE-në vetëm 9.5 për qind. Marrëdhëniet BE-Britani kanë nisur shtegun e tensionimit që nga referendumi i vitit 2016, kur Mbretëria e Bashkuar ka votuar për shkëputjen e rrugëve me bllokun.

Pas negociatave të tensionuara, Britania u largua zyrtarisht nga BE-ja vitin e shkuar, por të dyja palët kanë vazhduar mospajtimet rreth ujdisë tregtare. Marrëveshja përfundimtare u arrit në Natën e Krishtlindjes, por ende duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme