Shqipëria shënon rekord të rasteve me Covid-19

Prishtinë | 01 Shk 2021 | 20:31 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë Iliir Meta ka kritikuar qeverinë për menaxhimin e pandemisë dhe kërkoi një strategji për vaksinimin e popullsisë, në kohën kur vendi po shënon numrin më të lartë të të prekurve me COVID-19 që nga fillimi i përhapjes së sëmundjes.

Meta tha se Shqipëria ka zënë vendin e parë në Evropë sa i përket jetëve të humbura nga sëmundja dhe vendi ka dështuar të mbrojë qytetarët e saj.

“Në kushtet kur numri i të prekurve po rritet çdo ditë me ritme tepër të larta shqetësuese, përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të ndalur urgjentisht propagandën boshe dhe për të hartuar një plan konkret afagjatë, për menaxhimin efikas të situatës, që po del nga kontrolli, duke filluar nga përmirësimi i prekshëm i kushteve në spitale, tek publikimi i një strategjie për vaksinimin e popullatës, që nuk mund të lihet në mëshirë të fatit”, shkruan presidenti në Facebook.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri të ditur se të hënën në mbrëmje pritet të vijnë dozat e para të vaksinës nga kontrata me kompaninë “Pfizer”.

“Ne kemi vetëm një spostim në kohë, pasi dozat e para të Pfizer do të vinin në javën e tretë të janarit dhe sipas konfirmimit të fundit dozat e para mbërrijnë sot në darkë dhe do të vazhdojnë me faza dhe jemi shumë afër një marrëveshjeje përfundimtare me AstraZeneca”, tha Rama.

Ai nënvizoi se nuk dihet numri i saktë i vaksinave që vijnë ditën e hënë, por theksoi se janë numër më i vogël se sa ishin planifikuar.

“Nuk e kam tani në këtë moment, se dua të jap shifër të saktë, sa do të jenë dozat që do të mbërrijnë sot. Muaji shkurt do të jetë një muaj me qartësi mbi gjithë procesin. Sot do të vijnë doza më pak sesa ato që ishin angazhuar, por sidoqoftë e rëndësishme është që fillon vaksinimi i dytë”, u shpreh ai.

Shqipëria ditëve të fundit ka shënuar numër rekord të të prekurve dhe humbjeve të jetës me COVID-19.

Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri tha se ka evidentuar si problematike rritjen javore të infektimeve, e cila ka kaluar “tavanin” e vendosur prej 200 rastesh për 100 mijë banorë, por u tha se nuk do të ketë shtim të masave për parandalim të përhapjes.

Ekspertët evidentuan si shqetësuese rritjen e numrit të të infektuarve, rritjen e numrit të viktimave, rritjen e shtrimeve në spitale, si dhe infektimit e grupmoshave të reja gjatë 2 javëve të fundit.

Kryetarja e Komitet Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, duke u nisur nga situata, njoftoi se do të vijojë ndërprerja e fluturimeve me Britaninë e Madhe por tha se deri në fund të javës do të merret një vendim për kthimin apo jo të studentëve në fakultete.

“Kjo rritje ka lidhje me moszbatimin e duhur të masave në festat e fundvitit. Por, fatmirësisht, situata vijon të mbetet e kontrolluar dhe për këtë arsye u vendos në mbledhjen e ekspertëve që të vlerësojmë mundësitë e hapjes së universiteteve dhe do të kemi vendim deri në fund të kësaj jave”, tha Rakacolli.

Në Shqipëri ka nisur vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19, ku të parët që do ta marrin këtë shërbim janë punëtorët shëndetësorë, që do pasohen nga policët dhe shërbyesit e tjerë publikë, si dhe të moshuarit apo grupet që konsiderohen më të rrezikuarat.

Prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri në muajin mars të vitit 2020, rreth 78,000 persona janë infektuar me koronavirusin e ri, prej së cilëve 1,380 pacientë kanë vdekur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme