Shtohen spekulimet se kë mund ta falë Trumpi pas ish-këshilltarit Flynn

Prishtinë | 26 Nën 2020 | 21:12 | Nga Ekonomia Online

Rick Gates, zëvendësshefi i fushatës elektorale të Trumpit më 2016, ka deklaruar për gazetën njujorkeze “New York Times” se presidenti “e di se sa shumë kemi hequr ne që kemi punuar për të dhe shpresoj se ai do ta marrë këtë në konsideratë nëse dhe kur të ofrojë ndonjë falje tjetër”

Washington, 26 nëntor (Reuters) – Furia e shkaktuar nga vendimi i Donald Trumpit për ta falur ish-këshilltarin e tij për siguri Kombëtare, Michael Flynn, i ka dhënë sebep shtimit të spekulimeve se kë mund ta shfajësojë pas tij presidenti amerikan në largim.

Rick Gates, zëvendësshefi i fushatës elektorale të Trumpit më 2016, ka deklaruar për gazetën njujorkeze “New York Times” se presidenti “e di se sa shumë kemi hequr ne që kemi punuar për të dhe shpresoj se ai do ta marrë këtë në konsideratë nëse dhe kur të ofrojë ndonjë falje tjetër”.

Gates, bashkë me Flynn, janë disa prej shumë ndihmësve të Trumpit të dënuar bazuar në hetimet e ish-këshilltarit të posaçëm Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe lidhjeve midis Trumpit dhe Moskës.

Flynn, gjeneral i pensionuar që u shkarkua nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes nga ish-presidenti Barack Obama më 2014, u bë ndihmës i besuar i fushatës së Trumpit. Mirëpo, Trumpi e shkarkoi nga posti i këshilltarit të Sigurisë Kombëtare pas vetëm 24 ditësh në këtë detyrë, me pretendimin se e kishte gënjyer nënpresidentin Mike Pence lidhur me kontaktet e tija me zyrtarët rusë. Ai ka pranuar të kishte gënjyer FBI-në, por nuk ishte dënuar para se Trumpi ta falte të enjten duke thënë: “Paç jetë të mirë gjeneral Flynn!”.

Më herët, presidenti amerikan në largim ka ulur dënimin prej më shumë se tre vjetësh burgim shqiptuar Roger Stones, një aleat i tiji i kahershëm, për pengim të drejtësisë, deklarim të rremë para Kongresit dhe frikësim të dëshmitarëve. Pos tij, edhe ish-menaxheri i fushatës së Trumpit, Paul Manafort, ndodhet në arrest shtëpiak lidhur me dënimin me shtatë vjet burgim për mashtrim. Edhe George Papadopoulos, ish-këshilltar për Politika të Jashtme, ishte dënuar me 14 ditë burgim pasi u deklarua fajtor se gënjeu FBI-në.

Jashtë hetimeve të Muellerit, ish-shefi ekzekutiv i fushatës dhe strategu i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, ishte akuzuar për mashtrim lidhur me fondet e mbledhura për murin në kufi me Meksikën. Rudy Giuliani, avokat i presidentit, është vënë nën hetime lidhur me shkeljet e mundshme të Ligjit për lobim.

Sidoqoftë, shumica e faljeve të siguruara nga Trumpi konsiderohen më pak kundërthënëse sesa ajo për Flynnin. Kjo ngase Flynn mbetet një prej mbështetësve më me ndikim të së djathtës politike.

Demokratë të profilit të lartë, përfshirë kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, liderin e pakicës në Senat, Chuck Schumer, dhe shefin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff, ishin ndër ata që e kritikuan ashpër faljen e Flynnit, duke e cilësuar veprimin si abuzim serioz me pushtetin.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, ish-prokurori federal dhe analisti i televizionit amerikan CNN, Elie Honig, ka shpalosur faktet lidhur me rastin.

“Fakte: Michael Flynn e gënjeu FBI-në rreth Rusisë. Flynn u deklarua i pafajshëm dy herë. Trupi u mundua ta mbyste rastin dhe i dhuroi publikisht faljen. Flynn bashkëpunoi me Muellerin dhe pastaj ndaloi. (Prokurori i përgjithshëm, William) Barr u mundua ta ngufaste vetë rastin (e Departamentit të Drejtësisë), por gjykatësit rezistuan. Trumpi e fali Flynnin”.

Presidenti, që i humbi zgjedhjet e 3 nëntorit, i ka kaluar ditët e pasvotimeve duke u përpjekur që t’i sprapsë rezultatet dhe duke refuzuar që ta pranojë fitoren e rivalit të tij demokrat, Joe Biden. Të hënën ai e lejoi administratën e tij që të marrë pjesë në transicionin drejt Shtëpisë së Bardhë të Bidenit, por megjithëkëtë vazhdoi ta sfidonte legjitimitetin e procesit elektoral.

Teksa kanë mbetur edhe më pak se dy muaj para ceremonisë së inaugurimit, ai mund t’i kalojë ditët e mbetura në Shtëpinë e Bardhë duke u përqendruar në faljet e mëtutjeshme dhe veprimet që do ta lustrojnë trashëgiminë e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme