Sulm vetëvrasës në Pakistan, 8 të vdekur

Prishtinë | 08 Maj 2019 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Së paku tetë persona kanë humbur jetën, ndërsa 25 të tjerë janë plagosur gjatë sulmit vetëvrasës që ndodhi sot në mëngjes mbi një tyrbe sufite në qytetin verilindor pakistanez Lahore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vetëvrasësi me bombë e kreu sulmin në patrullën policore para tyrbesë Date Ganja Buxa.

“Në vendin e shpërthimit humbën jetën tetë persona, në mesin e të cilëve pesë policë, ndërsa 25 të tjerë u plagosën”, tha shefi i policisë në provincën Punjab, Arif Nawaz.

Nawaz tha se hetimi i deritanishëm tregon se sulmi është vepër e individëve.

Në mesin e të plagosurve ka disa persona të rrezikuar me jetë.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dënoi sulmin terrorist dhe urdhëroi zbatimin e hetimit të hollësishëm.

Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Para tyrbes së njëjtë ka ndodhur sulm i ngjashëm edhe para nëntë viteve kur u vranë 24 persona.

Të ngjashme