Tregu i përbashkët rajonal, ide injorante e BE-së, mban larg Ballkanin nga Unioni

Prishtinë | 15 Kor 2017 | 11:36 | Nga

Ish-deputeti dhe ekonomisti Andis Harasani në një shkrim të tij, bën të ditur se tregu i përbashkët rajonal nuk është një ide që duhet përkrahur, por është një ide idiote për të mbajtur rajonin e Ballkanit jashtë Bashkimit Europian.

Sipas tij, pikurish kjo ide për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal është në thelb kundër vetë idesë së BE-së për krijimin e një tregu të përbashkët Europian.

Ja si e shikon Andis Harasani këtë ide:

Kjo çështja e tregut ndërballkanik është jo vetëm injorance nga ana e BE, por dhe arrogancë duke dashur të shesin sapunin për djathë.

Të gjendur përballë mungesës së kushteve të tjera për tu vënë vendeve dele të Ballkanit e duke mos dashur të zgjerojnë me EU tani dalin me ide tregu rajonal!

E përse duhet një treg rajonal? Ideja e tregjeve rajonale është në thelb kundër idesë së Europës së bashkuar me një treg të përbashkët.

Problemi kryesor që Europa ka, është se megjithëse është një treg në rritje, nuk mund të bjerë në një mendje politikisht. Ndërsa kryetarët e vendeve që bëjnë sikur ranë në dashuri me idenë e tregut rajonal, janë po ata që bënin mbledhje të përbashkëta qeverie. Rezultatet e këtyre mbledhjeve i kemi parë. Por mos mendoni se këta kryetarë shtetesh nuk e dinë që ideja e tregut rajonal është qesharake!

E dinë më mirë se kushdo, por dinë se një përkëdhelje nga Merkel u zgjat ditët në karrige e ndaj për atë përkëdhelje janë të gatshëm të shesin gjithçka.

Dhe harrojnë se Merkel është Merkel pasi në çdo hap që bën ka primare interesat e vendit të saj.

E meqë jemi këtu, doja të thoja dy fjale për projektet që ish-juristja e bashkisë, sot drejtuese e investimeve të huaja në KM (e pastaj habitemi pse nuk ka investime të huaja në Shqipëri) u mundua ti shesi medias në krah të KM.

Me pak fjalë tha që u dhanë fonde për studime të tipit Skavica….(ka mbi 20 studime për Skaviceë). As mos u lodh zonjë. Dhe qeni im e di që Skavica s’do ndodhë kurrë, sepse nuk ka shtet sot që të shpërngulë fshatra të tëra nga të paktën 2 shtete të ndryshme e të prese 8 vite pas ndërtimit të veprës që të mbushet rezervuari.

Sa për projektet e tjera që lexoi as vetë ajo nuk di çfarë lexoi!

Të ngjashme