Turqia shënon 100-vjetorin e fillimit të luftës çlirimtare

Prishtinë | 19 Maj 2019 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Turqia sot feston Ditën e Përkujtimit të Ataturkut dhe Ditën e Rinisë dhe Sportit, që shënon fillimin e Luftës së Pavarësisë së Turqisë 100 vjet më parë dhe lindjen e Turqisë moderne, raporton Anadolu Agency (AA).

19 Maji është ditë historike për Turqinë, pasi është dita kur Mustafa Kemal, që më vonë u bë i njohur si Mustafa Kemal Ataturk, arriti në qytetin e Samsunit nga Stambolli për të organizuar luftën nga e cila territoret e mbetura të Perandorisë Osmane u transformuan në Turqinë moderne katër vjet më vonë.

Ataturku ia kushtoi 19 Majin të rinjve si Dita e Rinisë dhe Sportit, një festë kombëtare në të cilën të rinjtë në Turqi zhvillojnë aktivitete sportive dhe kulturore dhe ceremoni zyrtare të organizuara anembanë vendit.

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Mehmet Muharrem Kasapoğlu, vuri një kurorë në Anıtkabir, mauzoleun e Ataturkut në Ankara.

Festime të mëdha janë planifikuar në provincën e Samsunit, në të cilën pritet të marrin pjesë presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe një numër i lartë zyrtarësh.

Kjo ditë kombëtare do të festohet në gjithë Turqinë, Republikën Turke të Qipros Veriore dhe të gjitha përfaqësitë e huaja.

Erdoğan publikoi ​​një mesazh me rastin e 19 Majit, ditë të cilin ai përshkroi si “ringjallja e kombit”.

“19 Maj është dita kur Mustafa Kemal Ataturku filloi luftën tonë kombëtare pas mbërritjes në Samsun 100 vjet më parë. 19 Maji është dita e zgjimit të vullnetit kombëtar, shpirtit të unitetit dhe fuqisë së një besimi të fortë për të zbrapsur forcat pushtuese nga trojet tona. 19 Maji është ringjallja e këtij kombi”, tha Erdoğan në mesazhin e tij drejtuar rinisë.

Të ngjashme