Ukraina me “mburojë të hekurt”, Britania dërgon 6 aeroplanë në Rumani

Prishtinë | 13 Pri 2021 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Gjashtë aeroplanë luftarakë të Forcave Ajrore Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar do të dërgohen në lindje të Evropës si mesazh për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili i ka grumbulluar trupat afër kufirit me Ukrainën.

Të hënën në mbrëmje, shefat britanikë të mbrojtjes e konfirmuan dërgimin e aeroplanëve në Rumani për ta patrulluar qiellin mbi Detin e Zi, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Aeroplanët e tipit “Typhoon” do të mbështeten nga trupat e dy brigadave, ndërsa do të nisen nga bazat në Britaninë e Madhe gjatë kësaj jave.

Përderisa Ministria e Mbrojtjes këmbëngul që dërgimi i aeroplanëve është proces rutinor, veprimi do të bëhet në kohën e shtimit të frikës për një konflikt të mundshëm mes Rusisë dhe Ukrainës.

Të hënën në mbrëmje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se ende është duke pritur pasi kërkoi bisedime me homologun rus rreth tri javë pas vdekjes së katër ushtarëve ukrainas nga zjarri i forcave ruse.

Sipas qeverisë ukrainase, Rusia ka dërguar 41.000 trupa në kufi me Ukrainën dhe 42.000 të tjerë në Krime, ndërsa këto shifra janë duke u rritur.

Më shumë se 14.000 persona janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit në vitin 2014 në lindje të Ukrainës. Përpjekjet për bisedime rreth marrëveshjes së paqes kanë dështuar, ndonëse vitin e kaluar u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi.

Të ngjashme