Ushtria amerikane përgatitet për “skenarin më të keq” nga Coronavirusi

Prishtinë | 06 Pri 2020 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Ushtria amerikane po përgatitet për skenarin më të keq në betejën me Coronavirusin. Kështu deklaron Gjeneral Terrence O’Shaughnessy, kreu i Komandës Veriore Amerikane, i cili shpjegon masat që po merr ushtria për të reaguar në përgjigje të krizës.

Gjeneral O’Shaughnessy thotë se ushtria po e trajton këtë krizë si periudhë lufte:

“Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i ka shpallur luftë epidemisë së COVID-19, prandaj po veprojmë si në kohë lufte dhe po e trajtojmë si një fushatë të madhe ushtarake”.

Gjenerali foli me agjencinë e lajmeve Reuters në një intervistë nga Baza Ajrore Petersen në Kolorado Springs të Kolorados. Ai shpjegoi se një kontigjent ushtarak është dislokuar në kompleksin e maleve Shajen që u ndërtua si bazë mbrojtëse nga kërcënime bërthamore.

“Ndodhet 550 metra nën tokë, nën shtresën e granitit që ofron mbrojtje të shkëlqyer, jo vetëm ndaj rrezikut bërthamor, por shërben edhe në këtë rast për të izoluar një kontigjent”.

Kreu i Komandës Veriore amerikane tha se ushtria po ofron mbështetje në operacionet federale për të vënë nën kontroll situatën në vatrat më të nxehta të sëmundjes:

“Kemi dislokuar kapacitete në Nju Jork, po ashtu në Kaliforni dhe në shtetin e Uashingtonit. Dislokimet më të fundit janë në Nju Orleans dhe Dallas. Gjatë gjithë kohës jemi në bashkërendim me Pete Gaynor, administrator i Agjencisë Federale të Emergjencave, për të identifikuar zonat që janë më në rrezik dhe ku nevojitet ndihma jonë”.

Të ngjashme