Vetëvendosje tërheq vëzhguesit nga Shqipëria: Deformim votash në funksion të pushtetit

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 17:18 | Nga Ekonomia Online

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka njoftuar se sot në mëngjes i ka tërhequr vëzhguesit nga procesi i numërimit të votave në qarqet ku kanë garuar kandidatët e kësaj partie Boiken Abazi, Iljas Shehu dhe Kreshnik Merxhani.

Në reagimin e kësaj dege thuhet se janë deformuar votat në funksion të pushtetit.

“Boiken Abazi në Qarkun Tiranë, Iliaz Shehu në Qarkun e Lezhës dhe Kreshnik Merxhani në Qarkun e Gjirokastrës, tre kandidatët e pavarur të mbështetur nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, kanë tërhequr sot në orët e para të mëngjesit të gjithë vëzhguesit e tyre të certifikuar nga procesi i monitorimit të numërimit të votave në tre qarqet ku ata garojnë”.

“Ky vendim ka ardhur pas shkeljeve ligjore të përsëritura nëpër qendrat e numërimit. Këto shkelje kanë përfshirë:Vendime për të mos lejuar vëzhguesit e tre kandidatëve të pavarur të hynë në disa prej qendrave të numërimit, veçanërisht gjatë procesit të hapjes së kutive”.

“Presioni dhe kërcënimet drejtuar vëzhguesve për të mos dokumentuar me fotografi dhe video krimin elektoral që ka ndodhur brenda qendrave të numërimit.Pengesat direkte edhe të kandidatëve për të hyrë në disa prej qendrave të numërimit, si në rastin e Shkollës “Bajram Curri” në Tiranë”.

“Mosreagimin dhe moskokëçarjen prej komisioneve të numërimit të votave, ndaj kërkesave legjitime të vëzhguesve të tre kandidatëve të pavarur.Eliminimi nga procesverbali i raportimit të votave në “Shkollën e Kuqe” në Tiranë për kandidatin Boiken Abazi në datën 26 prill 2021”.

Të ngjashme