Zelanda e Re shënon 100 ditë nga eliminimi i virusit

Prishtinë | 09 Gus 2020 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Zelanda e Re të dielën ka shënuar 100 ditë që nga ndalja e përhapjes së Coronavirusit, vend i vetëm në botë që ka arritur të eliminojë virusin që po e rrënon botën.

Jeta është kthyer në normale për shumë njerëz në këtë ishull prej 5 milionë banorëve, gjersa shkojnë nëpër ndeshje të ragbit nëpër stadiume të stërmbushura dhe rrijnë nëpër kafene dhe restorante pa frikën se do të infektohen, shkruan AP.

Zelanda e Re e mposhti virusin duke vendosur masa të rrepta në fund të marsit, kur u raportuan vetëm 100 raste. Kjo ndaloi përhapjen e virusit. Për tre muajt tjerë, të vetmet raste kanë qenë nga pak udhëtarë që po ktheheshin në këtë shtet dhe të cilët u izoluan në kufi.

“Këtë e mundësoi mbështetja në shkencë dhe një udhëheqësi e mirë politike”, tha profesori Michael Baker, një epidemiolog në Universitetin Otago. “Nëse i shikoni shtetet përreth botës që kanë kaluar mirë, zakonisht e kanë përdorur këtë kombinim”, shtoi ai.

Që nga fillimi Zelanda e Re aplikoi një strategji të guximshme të eliminimit të virusit, në vend se të përpiqej të ndalonte përhapjen.

Infektimet totale në këtë shtet shkuan vetëm pak përmbi 1,000 dhe ka pasur vetëm 22 të vdekur. Megjithatë turizmi ndërkombëtar i këtij shteti ka përjetuar kolaps, dhe Zelanda e Re është tërësisht e izoluar nga pjesa tjetër e botës.

Sidoqoftë, e diela shënoi një datë të rëndësishme në luftën kundër Coronavirusit, nga një strategji e cila mund të merret si shembull nga shtetet tjera.

Të ngjashme