Nazistët besonin se arkeologjia do t’iu jepte superfuqi

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 19:30 | Nga

Në zemër të ideologjisë naziste është ideja e racës superiore Ariane, që gjermanët e vërtetë e kanë origjinën nga linjat e gjakut të pastër, superiore ndaj racave të tjera evropiane dhe joevropiane. Por nazistët e dinin se, që publiku gjerman ta gëlltiste këtë ide, ata duhej që të mbështesnin pretendimet e tyre me “prova”, pavarësisht se sa të rralla apo të fabrikuara mund të ishin ato.

Dhe kështu erdhi lindja e Organizatës Ahnenerbe, një degë e mirëfinancuar e SS-ëve, e dedikuar kërkimeve historike të kulturës së lashtë gjermane, që synonte të tregonte se popujt e lashtë gjermanikë ishin jetikë për fillimet e qytetërimit.

Shefi i SS-ëve dhe Gestapos, Heinrich Himmler, besimet e të cilit në misticizmin dhe okulten ishin të mirënjohura, u vu në krye të lëvizjes, dhe rekrutoi një grusht arkeologësh profesionistë, por ekstremistë… bashkë me një sërë amatorësh entuziastë.

Në ditët e hershme, Ahnenerbe kreu gërmime në Gjermani. Por Himmleri i zgjeroi horizontet e lëvizjes, duke organizuar një seri ekspeditash jashtë vendit, duke përfshirë edhe një udhëtim në Andet e Amerikës së Jugut në vitin 1928. Aty kërkonte që të vërtetonte se rrënojat e tempujve që ndodheshin aty ishin ndërtuar miliona vite më parë nga migrantë nordikë. Ekspedita të tjera prekën Poloninë, Krimenë dhe Tibetin. “Në të vërtetë puna e Ahnenerbes ishte që të krijonte mite”, shkruan Instituti Arkeologjik i Amerikës. “Studiuesit e saj iu dedikuan shtrembërimit të të vërtetës dhe sajimit të provave për të mbështetur idenë e Adolf Hitlerit”.

Megjithatë, jo e gjithë puna e Ahnenerbes ishte për konsum publik. Në një prej episodeve më të spikatur të epokës naziste, pretendohet se Himmleri vizitoi në fshehtësi Abacinë e montserratit pranë Barcelonës në Spanjë, ku besonte se do të gjente “Gralin e Shenjtë Arian”, që thuhej se Jezu Krishti e kishte përdorur për të konsakruar Darkën e Fundit.

Sipas Rico Gongoras, autor i “the Desecrated Abbey”, Himmleri ishte i bindur, bashkë me nazistë të tjerë, se Jezu Krishtit e kishte prejardhjen ariane, jo hebreje dhe se nëse ai mund të ngrinte pretendim për Gralin, kjo do i jepte fuqi të mbinatyrshme dhe do e ndihmonte Gjermaninë të fitonte Luftën e Dytë Botërore.

Himmleri kishte kaq shumë besim që do të gjente gralin mistik, saqë thuhet se ai përgatiti një kështjellë në Gjermani për mbërritjen e tij. Por sigurisht u kthye duarbosh.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme