Pse kishte lulëzuar Greqia e Lashtë?

Prishtinë | 09 Gus 2016 | 22:59 | Nga Jason Sorens/ American Conservative

A e nxiti decentralizimi politik qytetërimin klasik? Kjo është një nga tezat qendrore të shkencëtarit politik në Universitetin e Stenfordit Josiah Ober, në librin e tij të ri mbi arsyet e lulëzimit ekonomik të Greqisë së Lashtë.

Ober përdor mjetet e ekonomisë politike institucionale, për të shqyrtuar shkaqet e “lulëzimit” ekonomik dhe kulturor në Greqinë e lashtë. Në vend se të përqendrohet në ndikimet që patën vendimmarrësit individualë, të inspiruar nga këndvështrime të ndryshme ose mbi pasefektet kryesore, Ober përdor sociologjinë, duke përdorur dëshmitë historike për të testuar hipotezën në lidhje me rëndësinë e institucioneve politike, si dhe të politikës ekonomike në progresin njerëzor.

“Rregullat dhe konkurrenca e drejtë brenda një tregu shtetesh që promovojnë investimet kapitale, risitë, dhe bashkëpunimini racional në kontekstin e kostove të ulëta të transaksioneve”. Kjo është hipoteza e Ober e testuar në qytet-shtetin e lashtë grek (Polisin), e cila vazhdoi nga afërsisht 600 Para Lindjes së Krishtit, deri tek pushtimi romak në fillim të shekullit II-të Para Krishtit.

Ka dy pjesë të hipotezës:e para ka të bëjë me institucionet politike të adoptuara nga qytet-shtetet greke (rregullat e drejta kundrejt atyre të padrejta), dhe e dyta ka të bëjë me ndryshimin me kalimin e kohës të integrimin ekonomik, si dhe rivalitetin ushtarak mes qytet-shteteve të pavarura (më shumë ose më pak konkurrencë).

Ai shfrytëzon shumëllojshmërinë e formave institucionale midis qytet-shteteve greke, për të hetuar se si rregullat e tyre të ndryshme politike ndikonin tek stimujt për investime dhe shkëmbime, si dhe rritjen ekonomike. Ai gjithashtu shqyrton se si konkurrenca dhe rivaliteti, ndikojnë me kalimin e kohës tek përqindja e qytet-shteteve greke, të cilat adoptuan institucione që nga ana e tyre krijonin incentiva të mira.

Soloni arriti një marrëveshje të gjerë, ku imuniteti ligjor i qytetarisë u zgjerua me një seksion të madh të popullsisë, borxhet u anuluan, skllavërimi i qytetarëve athinas u ndalua dhe skllevërit ekzistues u liruan, kufizimet në lirinë e lëvizjes u hoqën, aktet e arrogancës (poshtërimi dhe frikësimi) qenë të ndaluara, qytetarët fituan të drejtën për të gjykuar penalisht zyrtarët e shtetit, e drejta e qytetarëve për të marrë pjesë në kuvendet publike u formalizua, dhe u siguria e drejta e pronës private në formën e tokës.

Të marra së bashku, këto reforma i dhanë “shtresës së mesme” barazinë politike, por edhe ruajtën burimet e pabarazisë ekonomike (dhe inovacionit). Me kalimin e kohës, këto institucione demokratike u zgjeruan dhe thelluan. Teksa Athina u rrit, ajo u shndërrua në një federate, në të cilën shumë vendime politike u bartën në nën-juridiksione, të cilët u bashkuan në “fise” artificiale (phyfes). Po, athinasit kishin skllevër, dhe gratë e kishin të ndaluar pjesëmarrjen në jetën publike, por në kontekstin e botës së lashtë, institucionet politike dhe ekonomike të Athinës ishin shumë shoqësore dhe përfshirëse.

Kontrasti me Spartën s’ mund të qe më i fortë. Ligjvënësi gjysmë-mitik i Spartës, Likurgu, themeloi një rend olikgarkik asketik gati totalitar. Një pjesë e vogël e spartanëve ishin qytetarë, dhe ata pritej të shërbenin si ushtarë me kohë të plotë. Atyre u kërkohej të kontribonin me një pjesë minimale të ushqimit për të furnizuar ushtrinë, ushqimi i prodhuar nga skllevërit e tyre Lakonianë dhe Mesenianët (ilotët). Spartanët i mbanin nën kontrollin ilotët përmes fushatave periodike të terrorit dhe vrasjeve masive. Qytetarët mund të binin në rangun e “inferiorit”, nëse ata nuk arrinin të siguronin pjesën e tyre të ushqimit, dhe shumë vetë patën këtë fat. Njëkohësisht, barazia ekonomike, të paktën në konsum, ishte e rreptë. Shtëpitë e spartanëve qenë të rregulluara në mënyrë rigoroze në bazë të standarde askete, dhe konsumi i spikatur u ndalua, por pabarazia private në prona mbeti e madhe.

Një nga kontributet më të shquara të librit të Ober, është rrëfimi se sa të pasura qenë Athina dhe qytet-shtetet tjera greke. Të marra së bashku, të gjitha qytetet greke në zonën e sunduar nga shteti grek në vitin 1890, duke injoruar shumë qytete greke dhe të helenizuara në pjesë të tjera të Mesdheut – Greqia moderne nuk e tejkaloi popullsinë e kulmit të Greqisë klasike deri në vitin 1924, dhe as kulmin e popullsisë së saj urbane deri në 1931.

Pjesa urbane e popullsisë në Greqinë e lashtë në fund të shekullit IV Para Krishtit (32 përqind), është shumë më e lartë se norma e urbanizimit në kulmin e Perandorisë romake (10-12 për qind), Anglisë dhe Uellsit në vitin 1688 (13 përqind), apo Francës në 1788 (12 për qind). Nëse do të konvertoheshin pagat para-moderne, në një standard të përbashkët të kilogramë grurë në ditë, paga ditore e një punëtori athinas apo një ushtar këmbësor në fund të shekullit të V (rreth kohës së luftës së Peloponezit) ishte rreth 9 kg grurë në ditë.

Një shekull më vonë, qe 13-16 kg në ditë. Përkundrazi, pagat për të paktën 85 përqind të popullsisë romake të periudhës së hershme perandorake ishte rreth nivelit të mbijetesës (3.5 kg në ditë). Një punëtor në shekujt XVI-XVIII në Holandë, kur ajo ishte vendi më i pasur në botë, mund të priste të bënte ndërmjet 10- 17 kg në ditë.

Me fjalë të tjera, Athina e Aristotelit ishte me gjasë më e pasur për banor se sa Franca e Molierit apo Anglia e Shekspirit. Ndërsa Athina ishte një polis jashtëzakonisht i pasur, pjesa tjetër e Greqisë klasike përfitoi nga ky zhvillim. Ober ndërton një indeks të konsumit për frymë, bazuar në pagat me masa gruri për “qytetarin e zakonshëm” të Greqisë në vitet 1300 P.E.S deri në vitin 1900.

Ai konstaton se konsumi për kokë banori arriti kulmin ndërmjet viteve 400- 300 Para Krishtit, ra pak nga pushtimi i maqedonas, dhe ra sërish pas një shekulli të sundimit romak. Në vitin 1900 të erës sonë, në botën e hekurudhave, telefonit, dhe avulloreve transatlantike, konsumi për kokë banori në Greqi ishte të paktën 30 për qind nën nivelin e zhvillimit të arritur në kohën kur Platoni jepte mësim në Akademinë e tij.

Po cili është çelësi i suksesit për këtë prosperitet të spikatur? Risitë institucionale të Athinës tashmë janë përmendur. Një tjetër element i rëndësishëm i narrativës së Ober, është decentralizimi politik i botës greke. Për grekët, Polisi ishte njësia themelore politike. Ekzistonin mbi 1000 polise të pavarura gjatë periudhës klasike. Disa polise të vogla e humbën pavarësinë e tyre politike nga koha në kohë, por pati gjithësesi një prirje të natyrshme të polisit për të rindërtuar veten, kur kushtet politike e lejonin këtë.

Ekologjia e polisikt mbijetoi, pjesërisht për shkak të gjeografisë së botës greke. Një vijë bregdetare shumë e thyer dhe ishujt e panumërt, i reduktuan ndjeshëm kostot e transportit dhe promovuan tregtinë – me transportin detar që u bë më i shpejtë se sa ai tokësor- ndërsa ndihmoi për t’i garantuar polisit kufij të mbrojtshëm. Në këtë të fundit kontribuoi edhe terreni i brendshëm malor.

Poliset ndërtuan muret e qytetit sa më shpejt që qenë në gjendje, çka i dha mbrojtësit një përparësi të konsiderueshme. Disa fuqi të brendshme ushtarake, sidomos Sparta, nuk mund të angazhoheshin në rrethime afatgjata, pasi duhej të mbikqyrnin skllevërit e tyre në çdo fushatë korrjesh. Athina arriti të ndërtojë një perandori në shekullin V pestë, vetëm sa për të parë rrënimin e tij nga një koalicion i udhëhequr nga Sparta.

Qyteti-shtet grek ishte multipolar dhe poliset qenë mjaft të gatshme për t’u lidhur së bashku në një federatë, me qëllim ruajtjen e sigurisë dhe autonomisë së tyre të brendshme. Disa prej këtyre federatave ishin afatgjata dhe të suksesshme si Ligat Aetoliane, Akaeniane dhe Kalkidiane. Tregtia ndërmjet poliseve të ndryshme me botën barbare, inkurajoi specializimin dhe ndarjen e punës.

Polise si ai i Athinës përmes politikave ekonomike të hapura, i hapën rrugën profesioneve artizanale, duke u rritur paralelisht me bujqësinë. Ekonomia politike greke ishte jashtëzakonisht elastike:ajo ia doli të rindërtojë veten pas luftës shkatërruese të Peloponezit dhe sërish pas pushtimit nga Maqedonia dhe vdekjes së Aleksandrit. Sirakuza, një koloni e Korintit në bregun lindor të Siçilisë, u zhvillua në një “super-Polis” si Athina dhe Sparta, për të degraduar më pas nën një sërë regjimesh tiranike dhe luftërash civile, e për t’u rritur sërish, më e fortë se më parë, në bazë të një regjimi demokratik.

Pasuria shpesh lejonte polise më gjithëpërfshirëse për të dominuar tiranitë. Me kalimin e kohës, bota greke u bë më demokratike. Gjithsesi në fund, polisi nuk mundi të përballojë Maqedoninë dhe Romën. Të dyja këto të fundit adoptuan me entuziazëm teknologjitë greke, bënë përmirësimin e tyre, dhe u fokusuan tek disiplina ushtarake dhe pushtimet.

Kultura e polisit grek qe në thelb kundër-perandorake, dhe madje edhe kur grekët përfituan liri dhe pasuri prej rendit të tyre të decentralizuar, ata paguan kostot e koordinimit. Athina dhe Sparta arritën të koordinohen për të mposhtur Perandorinë e Madhe Perse në shekullin e V, por pas rënies së Spartës në shekullin IV, aleanca Athinë-Tebë-Korint rezultoi e pamjaftueshme për të ndalur përparimin e Filipit II të Maqedonisë.

Pjelloria e jashtëzakonshme e qytetërimit grek, i mundësoi pushtuesve jo-grekë të punësojnë këshilltarë greke, blejnë armë greke, dhe kopjojnë retorikën, ligjet, dhe taktikat ushtarake greke. Libri i Ober përmban mendime provokuese me thellësi të madhe. Ashtu si teoricienët e mëdhenj politike të kohës moderne e kanë ditur gjithmonë, përvoja e lashtë greke ofron material të shumtë empirik për t’u thelluar mbi njohuritë e shkencave politike:si ne hartimin e rregullave të politikës, ashtu edhe për të siguruar lirinë dhe mirëqenien e njerëzve. Injorimi i përvojës së qytetërimit klasik, është në disavantazhin tonë.

(Autori është ligjërues në Kolegjin e Dartmouthit dhe është themelues i Projektit “Shteti i lirë”)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme